Pas dorëheqjes së ish-presidentit Hashim Thaçi dhe zhvillimeve të javëve të fundit në vend, ndër temat më të diskutueshme është mundësia e përfshirjes së PDK-së në Qeveri apo shkuarja e vendit në zgjedhje. Analistët politikë nuk mohojnë mundësinë e përfshirjes së PDK-së në Qeveri, por thonë se kjo parti është në një pozitë të vështirë për marrjen e një vendimi të tillë.
Dorëheqja e ish-presidentit Hashim Thaçi, situata e krijuar pas arrestimeve nga Gjykata Speciale, e numri i vogël i votave në Kuvend nga partitë e koalicionit qeverisës, kanë krijuar situatën kur mendohet për zgjerimin e Qeverisë dhe përfshirjen e Partisë Demokratike të Kosovës në të.
Analisti politik, Imer Mushkolaj, në një prononcim për Radio Kosovën nuk e mohoi mundësinë e përfshirjes së PDK-së në Qeveri, por, thotë se kjo parti e ka të vështirë marrjen e shpejtë të një vendimi.
“Partia Demokratike e Kosovës është në një situatë delikate dhe ende nuk po e di se si të vendosë, për përfshirjen ose jo në koalicionin qeveritar. Në fakt, PDK-ja është duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për rastin e deputetit Etem Arifi, të shihet nëse ai ka pasur të drejtë të votojë ose jo qeverinë Hoti dhe tek pastaj të marrë një vendim”, tha ai.
Mushkolaj thotë se nëse PDK do të futet në Qeveri, do të marrë postin e kryeministrit ose të presidentit, por sipas tij, në situatën çfarë është vendi, zgjidhja më e mirë do të ishte shkuarja në zgjedhje.
Për sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ndryshe nga Mushkolaj mendon analisti politik, Faton Abdullahu, i cili thotë se gjasat për mbajtjen e zgjedhjeve janë shumë të vogla karshi mundësisë së zgjerimit të qeverisë.
“Aktualisht, shumica e partive politike janë që të mos shkohet në zgjedhje. Është vetëm Vetëvendosje ajo që do zgjedhje dhe është e bindur se do të fitojë. Por, si Vetëvendosje, si parti, kjo përfaqëson pakicën, kështu që ka mundësi që duke u nisur nga kjo të ketë riformatim të qeverisë dhe pjesë e saj të bëhet edhe Partia Demokratike. Por, është e vështirë të konstatohet tani se çfarë do ndodhë”, tha ai.
Në lidhje me mundësinë e përfshirjes në Qeveri, Radio Kosova ka provuar të flasë edhe me zyrtarë për informim nga Partia Demokratike e Kosovës, por të njëjtit gjatë së premtes nuk kanë qenë të qasshëm.