Më 17 tetor të këtij viti partitë politike do të garojnë në zgjedhjet komunale me kandidatët e tyre të përzgjedhur. Por, edhe këtë vit po vërehet mungesa e grave për të kandiduar për kryetare të Komunave.
Të gjithë kandidatët e zyrtarizuar deri më tani janë burra.
Molliqaj: Partitë e shfrytëzojnë prezencën e grave vetëm për vota
Fajin për moskandidimin e grave për kryetare të Komunave, Leonida Molliqaj, nga organizata QIKA, po e hedhë te partitë politike.
Ajo për Front Online, tha se partitë politike prezencën e grave në politikë e shfrytëzojnë vetëm për vota dhe për t’i zbatuar ligjet në fuqi.
“Nuk kisha dashtë me lënë fajin tek gratë politikane për shkak se në Kosovë vet fakti që je duke u përfshi në politikë tregon se e ke refuzuar me njoftë strukturat e përgjithshme të sistemit dhe pushtetit që ekzistojnë. Pra faji kryesorë duhet me u vendos të partitë politike të cilat prezencën e grave në politikë e shfrytëzojnë vetëm kur u nevojitet për vota apo për t’i zbatuar ligjet në fuqi”, ka thënë ajo për Front Online.
Ajo tha se partitë politike duhet ta zbatojnë “Ligjin për Barazi Gjinore” të cilin janë duke e shkelur prej disa vjetëve.
“Ne kërkojmë nga partitë politike që të respektojnë ‘Ligjin për Barazi Gjinore’ të cilin janë duke e shkelur me vite me radhë. Në zgjedhjet lokale të këtij viti ne presim që të ketë më shumë gra në listat zgjedhore për asamble komunale për shkak se ne konsiderojmë se ansamblet janë hapësirë e rëndësishme politike”, ka thënë ai për Front Online.
Reshitaj: Hapësira që partitë politike ia ofrojnë grave lë për të dëshiruar
Ngjashëm mendon edhe deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj.
Ajo thotë se hapësira që partitë politike ia ofrojnë grave lë për të dëshiruar.
Reshitaj për Front Online tha se gratë nuk duhet të shikohen vetëm si numër derisa shpreson se deri në përfundim të kandidaturave do të këtë kandidate për kryetare.
“Çdo parti politike lë për të dëshiruar deri më tani, mirëpo pak a shumë ka dallime edhe ndryshime, sepse në statuse të partive politike janë vendosur disa kritereve të 30 % të prezantimit të gruas në të gjitha strukturat partiake dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sikur ka filluar d.m.th. ta respektoj këtë çështje. Është me të vërtet për keqardhje duke u nisur nga historiku i partive tona politike lë për të dëshiruar ajo se çfarë dhe sa i është ofruar gruas në poltikëbërje dhe në vendimmarrje gjithashtu edhe në udhëheqje të institucioneve të rëndësishme në vendin tonë”, tha ajo për Front Online.
Haxhiu: Gratë po hezitojnë të kandidojnë për pozita udhëheqëse
E nga Partia Demokratike e Kosovës, po thonë se gratë po hezitojnë për të kandiduar për pozitat udhëheqëse.
“Në përgjithësi edhe në subjektet tjera ka pasur një hezitim të grave që të mësyjnë pozitat udhëheqëse. Në komuna ka qenë numër i vogël, nga të gjitha partitë politike ne kemi pasur edhe kandidate gra po e marr shembull në Mitrovicë dhe vende tjera, pra kemi pasur dy kandidate në Mitrovicë që kanë qenë gra po mendoj që tash zgjedhja e kryetarit të ri do të ketë një rifreskim dhe do të diskutohen veç e veç emrat e të gjithë kandidatëve për të gjitha komunat”, ka thënë deputeti Bekim Haxhiu për Front Online.
VV-ja: Inkurajojmë gratë që të kandidojnë për kryetare të komunave
Për kandidimin e grave për zgjedhjet komunale nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë thënë se si subjekt politik do ta rrisin nivelin e përfaqësimit gjinorë dhe se i inkurajojnë gratë dhe vajzat që të kandidojnë sa më shumë në zgjedhjet lokale.
“Përpjekja, por edhe inkurajimi është̈ i tillë që të nxisë̈ sa më shumë gra e vajza të kandidohen e të garojnë̈ kudo që janë̈ dhe më pas të votohen në përputhje me statutin dhe demokracinë̈ e brendshme. Shembullin e përfaqësimin në nivel qendror do të mundohemi ta shtrijmë̈ edhe në përfaqësimin në nivel lokal”, ka thënë zëdhënësi për media i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) nuk janë deklaruar lidhur me këtë temë.
Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen më 17 tetor derisa fushata do të nisë një muaj më parë. /Front Online/