Rreth 6 milionë euro është vlera e pronave të paluajtshme dhe të luajtshme, në pronësi personale e të përbashkëta, që kanë deklaruar ministrat e Qeverisë Kurti në deklarimin e përvitshëm të pasurisë në Agjencinë Anti-Korrupsion. Qindra mijëra euro ata kanë deklaruar edhe si të kursyera në banka. Shumë nga pronat janë të regjistruara si me prejardhje nga trashëgimia, por edhe nga kreditë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar një apartament në emër të bashkëshortes së tij. Vlera e deklaruar për këtë apartament është 400 mijë euro. Ai ka deklaruar edhe 10 mijë euro në konto të bashkëshortes e 530 në të veten. Kurti ka thënë se ka kredi 300 mijë euro, e se paguan qira 250 euro për shtëpi. Paga mujore e tij është 1.300 euro në Qeveri, ndërsa në Vetëvendosje ka deklaruar pagë 1.400 euro për tre muajt e parë të 2021-s. Bashkëshortja e Kurtit merr pagë mujore rreth 4.000 euro.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar shtëpi në vlerë prej 260 mijë eurosh e banesë në vlerë 120 mijë euro. Një tjetër banesë e deklaruar nga ai është nën pronësi të bashkëshortes. Vlera e kësaj banese është 48 mijë euro. Si pronë të përbashkët ka deklaruar një shtëpizë pushimi në vlerë 20 mijë euro. Ka veturë në vlerë 20 mijë euro, ndërsa gruaja një tjetër në vlerë 3.000 euro. Para të gatshme i ka rreth 8.000 euro, ndërsa detyrime 215 mijë euro, të cilat i ka marrë me kredi 15-vjeçare. Pagë mujore ka 1.400 euro e 3.800 nga Universiteti Amerikan i Kosovës.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka deklaruar një shtëpi në vlerë 100 mijë euro me mbi 6 mijë metra katrorë, mbi 2 mijë metra katrorë pyje në vlerë 10 mijë euro, dhe 2.000 metra katrorë tokë bujqësore, po ashtu, në vlerë 10 mijë euro. Ajo ka deklaruar edhe një veturë në vlerë prej 10 mijë eurosh, e para të gatshme mbi 13 mijë euro. Pagë ka deklaruar 1.228 euro nga Qeveria, e të ardhurat në Gjermani para marrjes së mandatit (bruto deri në mars) 27 mijë euro.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar një banesë në vlerë 38 mijë euro e tokë 23 mijë euro. Gjithashtu ka deklaruar se ka në pronësi veturë në vlerë 3.100 euro, e aksione në kompani joaktive. Ka thënë se posedon letra me vlerë, ndërsa ka deklaruar si para të gatshme mbi 9.200 euro. Të hyra ka deklaruar pagën dhe mëditjen që merrte nga Kuvendi, mbi 26 mijë euro.
Albulena Haxhiu, si ministre e Drejtësisë, ka deklaruar një banesë e tokë në emër të bashkëshortit, në total në vlerë rreth 75 mijë euro. Ka thënë se ka veturë në vlerë rreth 9.700 euro, e detyrime financiare 27.800 euro. Si të hyra vjetore ka theksuar pagën nga Kuvendi, 4.810 euro nga MD-ja, e nga VV-ja 9.800 euro. Ka deklaruar edhe tërheqjen e kursimeve nga Trusti, 2.390 euro.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka deklaruar shtëpi e banesë në emër të tij në vlerë 600 mijë euro. Tokë e shtëpi në vlerë rreth 220 mijë euro në emër të prindit, si dhe dy banesa po ashtu në emër të prindit, në vlerë rreth 87 mijë euro. Para të gatshme ka deklaruar rreth 10 mijë euro në emër të tij, e 12 mijë euro në emër të fëmijëve. Ka kredi 175 mijë euro për 20 vjet. Pagë ka përmendur 13 mijë e 800 euro si pagë vjetore nga Qeveria dhe benefitin vjetor nga Armata Norvegjeze, rreth 30 mijë euro. Gruaja e tij ka pagë vjetore 28 mijë euro.
Pasuri të majme ka edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai ka deklaruar shtëpi, dy lokale e një truall në pronë të përbashkët me vlerë totale gati 2 milionë euro. Ka deklaruar edhe kredi rreth 6.700 euro për renovim të shtëpisë, ndërsa ka thënë se ka pagë 15 mijë euro në Qeveri, e gruaja e tij po ashtu rreth 10 mijë euro pagë në ordinancë dhe Universitetin e Tetovës, ndërsa edhe 20 mijë euro pagë në UBT.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar shtëpi 250 metra katrorë në vlerë 150 mijë euro, e truall 15 ari në vlerë 250 mijë euro si pronë e përbashkët. Dy vetura janë deklaruar nga ai dhe bashkëshortja e tij në vlerë totale prej 27 mijë eurosh. Para të gatshme i ka rreth 9 mijë, bashkë me bashkëshorten, ndërsa kredi në vlerë 22 mijë e 500 euro. Pagë mujore ka deklaruar atë që merr si ministër, rreth 1.151 euro.
Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, ka deklaruar banesë në pronë të përbashkët, në vlerë 70 mijë euro, veturë 18 mijë euro të marrë me kredi, ka gjithashtu 43 mijë euro kredi për blerje të banesës, para të gatshme ka rreth 2.150 euro. Ka thënë se ka marrë 30 mijë euro pagë vjetore nga Kuvendi, e 1.400 nga mëditjet e trajnimet.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka deklaruar tokë 100 mijë euro në emër të bashkëshortes, banesë 90 mijë euro në emër të bashkëshortes dhe veturë 12 mijë euroshe, po ashtu, në emër të saj. Ka deklaruar para të gatshme mbi 3.000 euro, e detyrime financiare rreth 80 mijë euro, po ashtu në emër të bashkëshortes. Ai ka njoftuar për tërheqjen e 4.800 eurove nga Trusti si pjesë e pikës së 10-përqindëshit, ndërsa ka deklaruar të hyra vjetore nga Kuvendi rreth 21 mijë euro.
Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, ka deklaruar shtëpi (85 mijë euro), tokë (50 mijë euro) e tokë (90 mijë euro) të gjitha prona të përbashkëta. Ka deklaruar edhe dy vetura, ndërsa për të hyra ka deklaruar pagën si ministër.
Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, ka deklaruar tokë 15 mijë euro në emër të tij, ndërsa banesë e garazh me vlerë rreth 85 mijë euro në emër të bashkëshortes. Ai ka deklaruar edhe veturë, ndërsa për banesë ka thënë se ka hyrë në kredi rreth 83 mijë euro. Ka marrë pagë vjetore 22 mijë euro në Kuvend, ndërsa edhe 25 mijë euro si kompensim për ish të burgosurit. Ka deklaruar edhe tërheqjen e rreth 2.600 eurove nga 10-përqindëshi i Trustit.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka deklaruar banesë 67 mijë euro në pronësi të përbashkët, si dhe pasuri të tjera të paluajtshme, tokë e shtëpi në vlerë mbi 300 mijë euro, të gjitha në pronësi të përbashkët. Ka thënë se i ka rreth 6 mijë euro para të gatshme në bankë, e kredi rreth 35 mijë euro. Ai ka deklaruar se ia ka borxh një personi rreth 13 mijë euro. Të hyra i ka regjistruar pagën nga Kuvendi, Presidenca e tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, ka deklaruar një banesë në vlerë 50 mijë euro në pronësi të përbashkët, veturë 3.000 euro e para të gatshme rreth 900 euro. Pagën e ministres e ka deklaruar te të hyrat.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se ka marrë banesë 75 mijë euro dhuratë nga prindërit, ka deklaruar edhe veturë në vlerë prej 18 mijë eurosh. Ka thënë se i ka rreth 200 mijë euro para të gatshme, ndërsa për pagë vjetore ka deklaruar rreth 30 mijë euro nga mësimdhënia, mëditjet e konsulencës e mëditje tjera.
Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ka të deklaruar një shtëpi në vlerë 35 mijë euro në emër të bashkëshortes, shtëpi 110 mijë euro, veturë 5 mijë euro e para të gatshme rreth 50 mijë euro. Ka thënë se ka hyrë në kredi 30 mijë euro për shtëpi. Pagë ka deklaruar të hyrat nga Kuvendi, në vlerë 32 mijë euro.