Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Qeveria pret që të ketë rritje më të madhe ekonomike se që ka projektuar fillimisht.
Pas miratimit të rishikimit të Buxhetit, Murati ka thënë se deri në fund të këtij viti parashihet që të tejkalohen dëmet e shkaktuara nga pandemia COVID-19.
“Kemi përfunduar me një rishikim që te shpenzimet buxheti është paraparë të jetë 2 miliardë e 516 milionë e uro ndërsa të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro. Këto ishin projektuar në fillim të vitit për vitin 2023 por synimi jonë është të arrihet këtë vit. Presim rritje më të madhe ekonomike se që ishte projektuar në fillim, një rritje prej 7.9 për qind apo rritja më e lartë që ka parë vendi vitet e fundit. Jam optimist edhe për rimëkëmbjen ekonomike, parashihet të tejkalohen dëmet ekonomike që janë shkaktuar gjatë pandemisë deri në fund të vitit, madje të arrihet rritje shtesë, të rikuperohet i tërë dëmi i pandemisë”, ka thënë ai në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Murati ka thënë se edhe sektori privat është përfshirë në rishikimin e buxhetit.
“Në raport me rimëkëmbjen ekonomike dhe ndihmat për bizneset sigurisht se janë paraparë dhe gjatë ditëve në vijim me rastin e përfundimit të procesit të rishikimit të buxhetit do të dalim me pakon e rimëkëmbjes ekonomike dhe masat specifike që parashihen të ndihmojnë bizneset, të punësuarit e rinj, ata që kanë humbur vendet e punës dhe kategoritë e tjera”, ka thënë ai.
Ndërkaq lidhur me kërkesën që pati bërë Partia Demokratike e Kosovës që të ndahen 200 milionë euro për bizneset, Murati ka thënë se të tilla deklarata kanë qenë premtime elektorale në tentim për të bindur votuesit.
“Sa i përket atyre që kanë thënë subjektet tjera., e kanë pasur rastin ta vërtetojnë më 14 shkurt në zgjedhje, kanë qenë premtime elektorale që as ata vetë nuk e kanë besuar, por ka qenë tentativë e tyre nëse mund ta bindim ndonjë qytetar pse të mos e provojmë”, ka shtuar Murati.
Ka shtuar tutje se shuma që do të ndahet për këtë sektor do të bëhet publike në vijim, por tha se prej shtesës 155 milionë euro që janë të hyra shtesë, shumica e tyre do shtohet në pakon e rimëkëmbjes dhe projekteve infrastrukturore.