U nënshkrua marrëveshja për heqjen e sigurimit kufitar mes Kosovës dhe Malit të Zi, sot në Podgoricë.
Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku, dhe drejtori i Shoqatës – Byrosë Nacionale të Siguruesve në Malin e Zi, Boris Saban, e kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për njohjen reciproke të certifikatave të sigurimit për mbulimin e përgjegjësive në shkaktimin e dëmeve ndaj palëve të treta në territoret e ndërsjella në Republikën e Kosovës dhe Malit të Zi.
“Kjo është ndër marrëveshjet më të rëndësishme, pasi u hapë rrugën të dyja vendeve për lëvizje të lirë, dhe për ne është një hap drejtë Kartonit të Gjelbër”, ka thënë Mazreku duke shtuar se pas shumë vitesh përmendjeje, kjo marrëveshje u finalizua.
Qytetarët e Kosovës nga 1 korriku nuk do ta paguajnë sigurimin kufitar në vlerë prej 15 euro me Malin e Zi.
Të pranishëm gjatë ceremonisë ishin edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilja Rexhepi dhe zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.