Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim për uljen e përkohshme të policës kufitare, raporton Express
Në njoftimin e BQK-së bëhet e ditur se vendimi është marrë nga Bordi Ekzekutiv i BQK-së.
“Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur me 24 qershor 2021 ka marrë vendim për uljen e përkohshme të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë. Ky vendim i marrë nga menaxhmenti i BQK-së ka ardhur pas shqyrtimit të raportit aktuarial të datës 22 qershor 2021 të Byrosë Kosovare të Sigurimit mbi adekuatshmërinë e tarifave të sigurimit kufitar nga autopërgjegjësia, dhe është vlerësuar se ekziston bazë e mjaftueshme për ndryshimin e tarifave të primeve të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë për automjete dhe motoçikleta për udhëtarë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu. BQK ka kërkuar nga Byroja Kosovar ee Sigurimeve që në emër të anëtarëve të saj, të ulë përkohësisht tarifat e sigurimit kufitar për automjetet dhe motoçikletat, për 35 për qind.
“Me anë të këtij vendimi Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, kërkon nga Byroja Kosovare e Sigurimeve që në emër të anëtarëve të saj, siguruesve të licencuar për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, të ulë përkohësisht tarifat e sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë për grupet tarifore të autoveturave dhe motoçikletave për 35 për qind. Po ashtu me anë të këtij vendimi kërkohet që aplikimi i tarifave të reja të policave kufitare të zbatohet nga data 1 korrik 2021 deri më 31 dhjetor 2021”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në prag të fillimit të pushimeve verore, ka marrë vendim që t’ua paguajë mërgimtarëve shpenzimet për policën e sigurimit.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi në mbledhje se qeveria do ta marrë përsipër pagesën e policës nga 1 korriku.
“Shqyrtimi i Propozim-Vendimit për mbulimin e plotë të obligimeve të sigurimit kufitar nga qeveria e Kosovës për të gjithë bashkatdhetarët dhe të huajt që janë subjekt i policës kufitare që vijnë në Kosovë deri në fund të vitit 2021. Ky vendim na hap rrugën që Ministria e Financave dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme që të lidhim një memorandum me BQK-në dhe Byronë Kosovare të Sigurimit e marrim përsipër si qeveri mbulimin e kostos së policës kufitare të cilës i nënshtrohen bashkatdhetarët. Mbulimi do të fillojë prej datës 1 korrik”, tha Murati.
Ai tha se kjo është një zgjidhje e përkohshme, derisa premtoi se do të angazhohen që ky problem të zgjidhet një herë e përgjithmonë.
“Kjo është një zgjidhje e përkohshme, por ne do të angazhohemi që ky problem të zgjidhet një herë e përgjithmonë dhe të mos kemi nevojë që të bëhet ky mbulim”, tha Murati.