Diaspora këtë vit do të jetë infuzion për ekonominë e Kosovës, thonë njohësit e çështjeve ekonomike, duke shtuar se numri i mërgimtarëve që do të vijnë në Kosovë do të jetë shumë i madh, për shkak të pamundësisë për të udhëtuar vitin e kaluar si pasojë e pandemisë.
Visari Ymeri, drejtor ekzekutiv në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokollari”, tha se ndikimi i diasporës në rritjen ekonomike do të jetë i rëndësishëm këtë vit.
“Mendoj që gjasat janë që mërgata këtë radhë të vijë në numra më të mëdha sesa zakonisht, sepse e kemi pasë vitin e kaluar ku nuk kanë mundur të vijnë për shkak të pandemisë, besoj që këtë herë interesimi që të vijnë në Kosovë do të jetë edhe më i madh. Kjo është lajm i mirë për ekonominë e Kosovës, e dyta pastaj që shuma e parave që shpenzohet duke e marr parasysh edhe vitin e kaluar, mendoj që ka me qenë edhe më e madhe besoj që ndikimi i tyre në rritje ekonomike ka me qenë goxha i rëndësishëm këtë vit. Edhe po e shohim që edhe në vendet e tjera përgjithësi si vende që janë hap pas tejkalimit të rreziqeve nga pandemia, e ka pasë një lloj boom ekonomik dhe mendoj që e njëjta gjë ka me ndodh edhe në Kosovë, edhe për shkak të mërgatës, por edhe për shkak të rritjes së konsumit të brendshëm në përgjithësi”.
Po ashtu, edhe Lirim Krasniqi, hulumtues dhe analist i politikave në organizatën “Germin”, organizatë kjo që merret kryesisht me çështje të diasporës, tha se ardhja e diasporës gjatë sezonit të verës do të ndikojë jashtëzakonisht shumë në aspektin ekonomik.
“Ne besojmë se do të ndikojë jashtëzakonisht shumë në aspektin ekonomik, këta duke pas parasysh në ndikimin që e ka pasur diaspora gjatë viteve të kaluara, dhe mungesën e diasporës gjatë vitit 2020. Nga një vlerësim që kemi bërë ne në vitin e kaluar vërehet se ka pasur rreth 1 milion më pak vizitor deri në fund të gushtit, krahasuar me vitin paraprak, dhe duke pasur parasysh që shumica e vizitorëve kanë ardhur nga aeroporti “Adem Jashari”, mund të themi se ka pasur ulje të të hyrave gjatë vitit 2020, të cilat pritet të kompensohen këtë vit, ku diaspora është më e gatshme dhe e ka më të lehtë të vijnë gjatë verës, dhe gjithashtu sipas një vlerësimi që kemi bërë ne në skenarin më të mirë të mundshëm, vetëm gjatë sezonit veror ka pasur 200 milionë më pak të hyra për shkak t mungesës së vizitave nga diaspora në vitin 2020, dhe ne besojmë shumë që këtë viti diaspora do ta jap një infuzion ekonomik, duke qenë se shumë sektor varen gjatë sezonin veror nga qarkullimi dhe paraja që vjen nga diaspora përmes vizitave të tyre direkte”.
Tutje, Krasniqi tha se institucionet vendore duhet të vazhdojnë praktikën e nisur vitin e kaluar për heqjen e kartonit të gjelbër.
Gjithashtu, sipas tij është e rëndësishme që të krijohen lehtësira administrative dhe të krijohet një ambient më i favorshëm për investime nga diaspora.
“Fillimisht duke e pasur parasysh që po flasim edhe për vizitat gjatë sezonin veror, duhet vazhduar një praktik që u nis vitin e kaluar me heqjen e policës së sigurimit apo kartonit të gjelbër, e cila nuk është shumë ë madhe për mërgimtarët por shërben si një lloj simbolike për të treguar mirëseardhje dhe gatishmërinë tonë për t’i pritur, sidomos kur kemi parasysh që kemi pasur një humbje të jashtëzakonshme gjatë vitit të pandemisë dhe na nevojitet ky turizmi i diasporës në mënyrë që të rriten të hyrat dhe të ketë një lloj impakti më të madh ekonomik. Në ndërkohë sa i përket lehtësirave të tjerave ne kemi avokuar për të drejtën e votës dhe përfaqësimit, e cila duhet të kaloj tashmë në Kuvend pasi ekzistojnë të gjitha parakushtet, ekziston një draft i Projektligjit që mundëson votimin e diasporës përmes ambasadave dhe konsullatave, gjithashtu duhet të krijohen lehtësira në kuptimin e tërheqjes së investimeve nga diaspora”.
Për 13 vjet, Kosova ka pranuar afër nëntë miliardë euro remitenca. Këto mjete financiare që dërgojnë qytetarët e Kosovës, të cilët jetojnë jashtë vendit, te familjet e tyre.
Qeveria e Kosovës në planin qeverisës katërvjeçar ka paraparë që nëpërmjet krijimit të instrumenteve për investim, kapitali i diasporës të kanalizohet në investime që krijojnë vende pune. Ky plan i qeverisë, ka paraparë që nga viti i parë i qeverisjes të emetohen bono thesari, të dedikuara për diasporën.