Iniciativën ligjore të Lëvizjes Vetëvendosje për heqjen e homologimit për veturat që importohen nga jashtë nuk e përkrahu Partia Demokratike e Kosovës, e cila nuk mori pjesë në votim. Në këtë seancë deputetët patën edhe kritika për shkarkimin e kryesueses së KQZ-së nga presidentja Vjosa Osmani, vendimin e së cilës theksuan se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese
Me 70 vota për, deputetët e Kuvendit të Kosovës, të enjten, kanë miratuar në parim projektligjin për heqjen e homologimit për veturat që vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian, Zvicra dhe Norvegjia. Me heqjen e këtij detyrimi, propozuesja e këtij projektligji, njëherësh ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, tha se do të hiqet edhe padrejtësia njëdekadëshe ndaj qytetarëve. Ky propozim u mbështet edhe nga deputetë të opozitës, përveç Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës. PDK-ja nuk mori pjesë në votim me arsyetimin që Ligji për automjetet të vijë si tërësi për shqyrtim në Kuvend, pasi që sipas tyre, ka nevojë të ndryshohen edhe disa pika të tjera. Në fjalën e saj, propozuesja e këtij projektligji, njëherësh ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, tha se përveç heqjes së këtij detyrimi, Ligji do të ketë mundësi të ndryshohet edhe në pika të tjera në një shqyrtim tjetër.
“Me plotësim-ndryshimin e projektligjit për automjetet ne sigurojmë se do të hiqet kjo padrejtësi me mbi një dekadë dhe që gjithashtu, projektligji do të ketë adresime të tjera në një shqyrtim tjetër, në mënyrë që të sigurohemi se sot grupet parlamentare mund të deklarojnë se ka nevojë për një trajtim të përgjithshëm të projektligjit”, ka thënë ajo.
E deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, theksoi se janë disa nene të Ligjit për automjetet që duhet të ndryshohen, ndër to edhe obligimi i doganimit në bazë të vjetërsisë së veturave. Lushtaku theksoi se në këtë rast Kosovës i janë vënë standarde të dyfishta.
“Nevoja për ndryshim nuk është vetëm në një pikë, prandaj e shoh të arsyeshme që të presim Ministrinë dhe të bëjmë plotësim-ndryshimin e tërësishëm të ligjit, jo vetëm në një pikë të caktuar sepse është i mangët ndryshimi”, ka deklaruar ai.
Përveç homologimit, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, kërkoi të hiqet edhe akciza dhe të rirregullohet çështja e doganimit të veturave. Ai kërkoi që Komisioni përkatës të marrë parasysh edhe këto kërkesa shumë të nevojshme, meqë sipas tij, heqja e homologimit nuk e largon të gjithë problemin e importimit të veturave, porse atij i është dhënë konotacion politik.
“Nëse nuk diskutohet për heqjen e akcizës, nëse nuk diskutohet për mënyrën e doganimit apo zhdoganimit të automjeteve të reja, të vjetra, më pak se 10 vjet apo më shumë se 10 vjet, nuk është asnjë zgjidhje”, ka theksuar ai.
Në këtë seancë deputetët e opozitës komentuan edhe vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e kryesueses së KQZ-së, Valdete Daka. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, deklaroi se i kanë mbledhur 30 nënshkrimet e nevojshme për ta dërguar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese. Për këtë iniciativë, PDK-ja ka marrë mbështetjen edhe të AAK-së.
“PDK-ja fton ambasadorët e vendeve mike të QUINT-it që të reagojnë urgjentisht për cenimin e institucioneve të pavarura kushtetuese. Po ashtu, Partia Demokratike e Kosovës, i ka të gjitha nënshkrimet e nevojshme që vendimin e presidentes Osmani për shkarkimin e zonjës Daka ta çojë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ajo.
Kritikë ndaj Osmanit pati edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Deputeti Driton Selmanaj u shpreh se presidentja në vend se të kujdeset për Kushtetutën ajo ka vendosur ta cenojë atë, duke kryer një veprim të paprecedentë me shkarkimin e Dakës.
“Rasti i tillë duhet të na bëjë bashkë të gjithëve, që ta ndalojmë një tendencë të arbitraritetit kundër konstitucional të vendit tonë. Jam i bindur se nëse nuk e ndalim tani, veprime të ngjashme do të përsëriten shumë shpejt edhe me institucione të tjera të pavarura”, potencoi Selmanaj.
Nga opozita pati vërejtje edhe për kryeministrin, Albin Kurti, dhe takimin që ai pati së fundmi në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut. Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, e ftoi kryeministrin që sa më parë, në seancë parlamentare para deputetëve të raportojë mbi këtë takim për të cilin ai tha se ka qenë zhgënjyes.
“Humbi tema e njohjes reciproke, humbi tema e kërkimit të faljes, humbën temat kombëtare dhe filloi loja e fjalëve CEFTA-SEFTA, që në esencë është minishengeni”, ka thënë Tahiri.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës edhe në këtë mbledhje plenare ka kërkuar nga Qeveria faljen e gjobave të pandemisë.