Është larguar nga puna, polici Haris Kelmendi, i cili kishte ushtruar dhunë ndaj një të riu brenda stacionit policor.
Komisioni i Brendshëm Disiplinor brenda Policisë së Kosovës, e ka trajtuar rastin disiplinor që ka të bëjë me zyrtarin në fjalë dhe ka marrë vendim që të njëjtit ti shqiptoj masën disiplinore ”Ndërprerje e Marrëdhënies së punës”.
Kështu u tha në një përgjigje për Klankosova.tv nga Policia e Kosovës.
Tutje në përgjigje thuhet se suspendimi është i përkohshëm deri në një vendim tjetër administrativ.
“Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se Policia e Kosovës, respektivisht Komisioni i Brendshëm Disiplinor i Policisë së Kosovës e ka trajtuar rastin disiplinor që ka të bëjë me zyrtarin në fjalë dhe ka marrë vendim që të njëjtit ti shqiptoj masën disiplinore ”Ndërprerje e Marrëdhënies së punës””.
“Vendimi në fjalë është pranuar nga i apostrofuari dhe ndaj tij është zbatuar edhe suspendimi i përkohshëm nga puna deri në vendimin tjetër administrativ. Në këtë rast, vendimi merr formën e prerë pas kalimit të afatit të së drejtës për ankesë apo pas vendosjes në shkallë të dytë nga ana e Komisionit për Ankesa”.
Lidhur me rastin në fjalë ka raportuar edhe Klan Kosova.
Po ashtu Klankosova.tv ka raportuar edhe se viktima e këtij rasti, Leutrim Rama, para dy javësh nën gjendje të dehur i ka therrur me thikë dy persona.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
“Më datë 01.06.2021, rreth orës 00:05, është raportuar për një përleshje fizike në mes të disa personave të ndodhur në rrugën “Ilir Konushevci” në Prishtinë.Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes me ç’ rast ka arrestuar të dyshuarin; L.R, 22 vjeç, shtetas Kosovar”.
“Nga hetimi preliminar janë ngritur dyshimet se, i dyshuari me një mjet të mprehtë u ka shkaktuar lëndime trupore dy viktimave të cilët janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.Ndërkohë që i dyshuari është arrestuar, ai ka marrë trajtimin e nevojshëm nga mjekët emergjent si dhe ka rezultuar të jetë nën ndikim të alkoolit”.
“Me rekomandimin e prokurorit të shteti i njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh dhe ndaj tij është iniciuar një hetim për rastet vrasje në tentativë si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Burimet e Klankosova.tv brenda policisë bëjnë të ditur se 22 vjeçari, i ka të regjistruar në polici edhe 23 vepra të tjera, në disa prej të cilave është si i dyshuar.
Gjatë ditës Klankosova.tv ka provuar të kontaktojë edhe me avokatin Naim Rudari, i cili mbron policin Haris Kelmendi, por që deri më tani nuk ka kthyer ndonjë përgjigje lidhur me rastin.