Shoqëria civile përmes një komunikate për media ka kundërshtuar shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e kryetares së KQZ-së.
Shoqëria civile konsideron se ky vendim është i motivuar politikisht si rezultat i ndërrimit të pushtetit në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit.
“Bazuar në vendimin për shkarkim, ne vlerësojmë që argumentet e shtruara nga Presidentja janë të pabazuara dhe paraqesin keqinterpretim të situatave përkatëse. Mes tjerash, kryetares së KQZ-së i atribuohen ekskluzivisht të gjitha përgjegjësitë dhe dështimet e supozuara të KQZ-së, përkundër faktit që Kryetarja e KQZ-së është vetëm një nga njëmbëdhjetë anëtarët me të drejtë vote. Madje, rikujtojmë që puna e KQZ-së është vlerësuar pozitivisht nga raportet vendore dhe ato ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, sipas tyre, marrja e këtij vendimi në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale përbën ndikim të drejtpërdrejtë në pavarësinë, integritetin dhe mbarëvajtjen e punës së KQZ-së në organizimin dhe administrimin e atyre zgjedhjeve.
Organizatat e shoqërisë civile:
- Demokracia për Zhvillim (D4D)
- Demokracia Plus (D+)
- INDEP
- INPO
- Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
- Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
- Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
- Lëvizja FOL
- Organizata Nënë Tereza
- Organizata Çohu
- Syri i Vizionit