Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur fajtor kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugovën, për veprën penale konflikt i interesit. Rugova është dënuar me një vit burgim.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 26 mars të vitit 2018, Haki Rugova akuzohej se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. që është pronë e vëllait të tij Gani Rugova, për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, në vlerë prej mbi 289 mijë euro.
Gjatë gjithë kohës, mbrojtësi i të akuzuarit, e kishte konsideruar se ajo kontratë ka qenë e nënshkruar aksidentalisht.
Po ashtu Rugovës i është ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej një viti, dënim që do të fillojë të ekzekutohet pasi Rugova ta vuajë dënimin me burg.
Rugova para trupit gjykues ka thënë se nuk ka koment për vendimin.