Parku i Biznesit në Komunën e Prizrenit, pas funksionalizimit të plotë, duhet t’i japë prioritet akomodimit të bizneseve prodhuese të industrisë së lehtë, është thënë nga afaristët gjatë dëgjimit publik të organizuar nga organet komunale. Temë e këtij takimi ka qenë ndërtimi i infrastrukturës në Parkun e Biznesit, si dhe procedura e riparcelizimit të pronave në këtë hapësirë, me ç’rast zyrtarët e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik dhe ata të Urbanizmit kanë dhënë sqarime lidhur me ecurinë e deritanishme të funksionalizimit të zonës ekonomike.
Fatime Uka nga DTZHE-ja ka theksuar se nga hapësira e planifikuar prej 80 hektarësh për shtrirjen e Parkut të Biznesit, deri më tani Komuna ka zbatuar projektet në sipërfaqen prej 40 hektarësh.
“Investimet e bëra nga DTZHE-ja nga viti 2012 janë mbi 2 milionë euro, prej të cilave 70 për qind nga investimet kapitale në 3 vitet e fundit”, ka thënë ajo, duke shtuar se është bërë instalimi i energjisë elektrike, shtrirja e rrjetit të ujësjellësit, kabllove të telefonit e internetit, etj. Sipas saj, qëllimi i Zonës Ekonomike në Prizren është tërheqja e investimeve në Prizren e Kosovë, si dhe hapja e vendeve të reja të punës.
“Marrja në shfrytëzim e hapësirave në Parkun e Biznesit do të bëhet me hapjen e konkursit, sipas legjislacionit në fuqi. Jemi në procedurën e licencimit, ku kërkesat janë dërguar në 5 ministri për marrjen e pëlqimeve”, ka thënë ajo.
Ndërsa Shpresa Osmanollaj nga DUPH-i ka deklaruar se riparcelimi bëhet në mënyrë që të krijohen ngastra më të përshtatshme për këtë zonë, dhe se nisma bazohet në legjislacionin e planifikimit hapësinor.
Në anën tjetër, pjesëmarrësit në dëgjimin publik kanë adresuar pyetje të ndryshme duke kërkuar sqarime, por edhe duke kontestuar informatat e prezantuara nga zyrtarët komunalë.
Drilon Nallbani nga shoqata e afaristëve “Esnaf” ka kërkuar që në menaxhmentin e Parkut të Biznesit të përfshihen shoqatat e bizneseve e afaristëve, pastaj kompanitë që përzgjidhen të inspektohen vazhdimisht për të parë nëse respektojnë kriteret me të cilat janë përzgjedhur, derisa te aplikuesit përparësi duhet t’u jepet prodhuesve me përvojë, dhe kompanitë që realizojnë investime në këtë zonë të kenë të drejtë t’i përdorin ato si hipotekë.
Veton Qipa ka kërkuar sqarime nëse shtrirja e energjisë elektrike vlen për ndërtesat apo ka të bëjë me rregullimin e ndriçimit publik. Gjithashtu ka kërkuar informata lidhur me çmimin për vendosje në këtë hapësirë ekonomike.
Sadik Shala ka kërkuar që rëndësi më e madhe gjatë përzgjedhjes së bizneseve t’u jepet prodhuesve, në mënyrë që të stimulohet rritja e industrisë dhe jo tregtia.
Afaristi Ilir Kamberi ka insistuar që në afërsi të mos ketë në të ardhmen plane për zhvillimin e industrisë së rëndë, pasi, sipas tij, kriteret e BE-së janë tejet strikte sidomos për fabrikat që merren me prodhimin e produkteve ushqimore.
Ndërkaq Fatmir Rexhaj ka pyetur zyrtarët komunalë se kur publikohen kriteret e MTI-së për këtë park, në mënyrë që bizneset të aplikojnë.
Njëkohësisht ka pasur edhe pjesëmarrës që kanë kërkuar shpjegime se ku do të derdhen ujërat e zeza nga ky park, duke theksuar gatishmërinë për t’i ruajtur tokat e tyre.
Në anën tjetër kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë të ditur se aspekti infrastrukturor në Parkun e Biznesit është afër përfundimit, derisa aspektet ligjore duhet ende të përmbushen. Sipas tij, procesi i krijimit të zonës ekonomike ka filluar në vitin 2012 dhe se tashmë është hyrë në fazën finale të funksionalizimit të kësaj hapësire, pas marrjes së pëlqimeve nga niveli qendror. “Edhe unë jam i pajtimit që prodhimtaria me pasë prioritet. Por të gjitha këto aspekte do të rregullohen sipas Udhëzimit Administrativ dhe nga Bordi Menaxhues”, ka thënë Haskuka, duke sugjeruar bizneset që t’i përpilojnë planet e investimit për aplikim.
Ditë më parë Haskuka bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe me zyrtarë të tjerë qeveritarë kanë vizituar Zonën Ekonomike, me ç’rast kreu i Prizrenit ka njoftuar se “gjatë tre vjetëve të qeverisjes sonë, në 40 hektarët e kësaj zone që ka gjithsej 82 hektarë, kemi bërë investime për instalimin e rrjetit energjetik, sinjalizim, ndriçim publik, ujësjellës, instalim të kabllove për qasje në internet dhe telefon, si dhe është bërë ndërtimi i trotuareve. Gjatë këtij muaji do të bëhet edhe shtrimi i asfaltit, ndërkaq për pjesën tjetër jemi ende duke pritur që prona e caktuar për zonë ekonomike nga Agjencia Kosovare e Privatizimit të kalojë në pronë komunale”./KOHA/
https://www.koha.net/kosove/273867/bizneset-propozojne-qe-ne-parkun-e-biznesit-ne-prizren-te-vendosen-operatoret-prodhues/