Edhe në Komunën e Suharekës pritet të jetë një garë e fortë mes partive politike, të cilën kryetari i tashëm, Bali Muharremaj thotë se do e fitojë përsëri.
Në një prononcim për Indeksonline, Muharremaj nga AAK-ja tha se do të fitojë pasi ka qenë më afër qytetarëve dhe ka kryer obligimet me kohë.
“Jo me kandidu për zgjedhje lokale, por me fitu kysmet”, u shpreh ai.
Ai po ashtu konfirmoi që janë duke e punuar programin qeverisës për të cilin u shpreh se do mahnitet gjithë Kosova.
“Jemi duke e punu programin, tash presidentja le ta cakton ditën e zgjedhjeve edhe shumë shpejt dalim me një program të ri që do të jetë mahnitës për gjithë Kosovën.
Do të fitoj për shkak të punës, për shkak që jam më afër qytetarëve dhe për shkak të obligimeve që i kam kryer me kohë”, tha Muharremaj.
Gjatë ditës së sotme presidentja e vendit, Vjosa Osmani është takuar me subjektet politike parlamentare, me të cilat është diskutuar data e zgjedhjeve lokale.
Kështu, Osmani ditëve në vazhdim pritet ta shpallë datën e zgjedhjeve, të cilat bazuar në legjislacionin në fuqi, parashihet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.