Arrogante dhe që merret vetëm me të kaluarën, e ka kualifikuar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti. Sipas tij, kryeministri nuk ka një pozicion të qartë as për dialogun, teksa ka thënë se dokumenti që ia ka ofruar Qeverisë përbën bazë të mirë për negociatat e ardhshme. LDK-ja nuk merr pjesë në dialog, por, sipas kreut të saj, është e gatshme ta votojë edhe themelimin e Asociacionit, me kushtin që ai t’i nënshtrohet verifikimit të Gjykatës Kushtetuese.
Lidhja Demokratike është e gatshme ta votojë çdo marrëveshje me Serbinë, e cila do t’i nënshtrohej një interpretimi të Gjykatës Kushtetuese. Kryetari i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku, ka thënë se do ta mbështesnin edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, me kusht që brenda tij të jetë pika dy e Marrëveshjes për Asociacionin të cilën e ka arritur paraardhësi i tij në LDK, Isa Mustafa. Kjo pikë thotë se Qeveria do ta aprovojë një dekret të drejtpërdrejtë të aplikueshëm, i cili do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.
“Le të bëjë Qeveria e Kosovës një marrëveshje me Serbinë në të cilën parashihet që ajo marrëveshje të vijë në Gjykatën Kushtetuese, le ta ketë edhe ajo pikën dy siç e ka pasur ajo tjetra dhe LDK-ja do ta votojë me dy duar, bllanko. Por jam i bindur që ky kryeministri nuk do të arrijë ta bëjë këtë, ta marrë firmën e Republikës së Serbisë që marrëveshja me Serbinë të shkojë në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë Abdixhiku në debatin e organizuar nga Lëvizja FOL.
Asociacioni vazhdon të jetë kërkesa kryesore e serbëve dhe këtë çështje ka paralajmëruar ta ngrejë në Bruksel edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ndërkaq Kurti një ditë më herët tha se nuk mund të ketë Asociacion njëetnik. Kjo deklaratë irritoi vartësin e tij nga Lista Serbe, ministrin për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq, i cili e quajti Kurtin hipokrit.
“Qëndrimi hipokrit i liderëve shqiptarë ndaj dialogut dhe zgjidhjes së çështjeve të hapura midis Beogradit dhe Prishtinës në mënyrë paqësore, ilustrohet më së miri nga deklarata e fundit e Albin Kurtit, i cili tha publikisht se Prishtina nuk e ka ndërmend ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe. Me këtë, Kurti vërtetoi se qëndrimi i tij ndaj dialogut është aktrim dhe gënjeshtër”, ka thënë Rakiq.
Sipas Abdixhikut, për këto deklarata kryeministri Kurti do duhet ta shkarkonte menjëherë ministrin Rakiq.
I pyetur rreth kritikave të Kurtit në Kuvend se energjinë më të madhe po ia merr zhbërja e dëmit që kanë bërë pushtetet e kaluara, Abdixhiku e ka sfiduar atë që t’i zhbëjë ato marrëveshje nëse i konsideron të dëmshme.
“Kryeministri është i lirë ta hedhë çdo marrëveshje, sepse nuk ka marrëveshje të vlefshme përderisa nuk arrihet dakordimi për të gjitha çështjet. Në takimin që pata me të e pyeta edhe për kërkim-faljen, për dialogun, pagesën e dëmeve, edhe për jo negociata-vetëvendosje… Për të gjitha këto ata kanë ndryshuar mendimin”, ka thënë Abdixhiku.
Ai e ka përjashtuar mundësinë që LDK-ja të bëhet pjesë e dialogut, teksa ka thënë se do të kërkojnë që para dhe pas negociatave kryeministri të raportojë në Kuvend.
“Baza negociuese të mos jetë diskutimi për Kosovën, si dhe karakteri unitar të mos rëndohet. Dokumentin nuk e kemi dorëzuar që te bëhemi pjesë e dialogut. LDK-ja nuk merr pjesë në dialog, por kemi dorëzuar një dokument, sepse nuk po dinë çfarë të bëjnë. Nuk janë temë akuzat e paraardhësve. Duhen negociata të thella dhe të vështira. Nuk po themi jo negociata, vetëvendosje – por shkoni mbrojeni Kosovën. Qeveri totalisht e papërgatitur në dialog, me pretekste për t’iu shmangur dialogut. Nëse ky është qëllimi duhet ta thotë”, ka potencuar Kurti.
Ndërkaq startin e Qeverinë së udhëhequr nga Kurti, kreu i LDK-së e ka kualifikuar si më të dobëtin që ka pasur Kosova ndonjëherë.
“Kjo qeveri ka pasur startin më të dobët që ka pasur vendi ndonjëherë, në kuptim të mungesës së sjelljes, ka arrogancë, por edhe marrjes me të kaluarën. Kemi një qeveri të dobët, kemi parë punën e disave që kanë qenë drejtorë në Komunën e Prishtinës, nuk kanë pasur rezultate”, ka thënë Abdixhiku.
“Kanë një program joserioz që nuk prodhon asgjë, përjashtim nuk përbën as politika e jashtme, pra duket qeveri e praktikantëve. Duhet rikuperim ekonomik pas pandemisë, në program nuk ka asnjë spital që do të ndërtohet katër vjetët e ardhshëm”.
Duke folur për opozitarizmin e LDK-së, Abdixhiku ka thënë se subjekti që drejton ai kurrë nuk do ta imitojë në veprime Lëvizjen Vetëvendosje.