Presidenti Recep Tayyip Erdogan, i ka tërhequr vërejtjen Irakut të mërkurën se Turqia do ta kontrollojë një kamp refugjatësh që po shërben si strehë për militantët kurdë, duke e paralajmëruar zgjerimin e fushatës ushtarake në territorin irakian.
Që prej vitit të kaluar, Turqia ka sulmuar bazat e Partisë Popullore të Kurdistanit rreth 30 kilometra në brendësi të Irakut, mirëpo Erdogani të mërkurën ka sinjalizuar se do ta pastrojë kampin e refugjatëve që gjendet 180 kilometra larg pikës kufitare me Turqinë.
Ai ka thënë se nëse kampin nuk e pastrojnë Kombet e Bashkuara, këtë do ta bëjë Turqia si anëtare e saj.
Një zyrtar i lartë irakian ka konfirmuar se Turqia ka adresuar ankesë zyrtare për aktivitetet terroriste nga kampi “Makhour”. Qeveria irakiane ka zbuluar se kampi kontrollohet nga PKK-ja, e cila nuk e lejon qasjen e qeverisë irakiane.
Kampi ishte hapur në vitet ’90, kur me mijëra kurdë kishin kaluar kufirin në një lëvizje që Ankaraja e cilësoi si provokim të PKK-së. Organizata e cilësuar si terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, ka kontrolluar prej vitesh pjesën kurde në juglindje të Turqisë. \ AP