124 pacientë të konfirmuar e me dyshime për koronavirus janë duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit. 78 nga ta janë të konfirmuar me Covid-19, ndërkohë 48 të tjerë janë në pritje të rezultateve.
Drejtori i këtij spitali, Afrim Avdaj, ka dhënë detaje për Express rreth numrit të pacientëve që po trajtohen atje.
Sipas Avdajt, nga 124 pacientët e pranuar 13 janë në mjekimin intensiv të këtij spitali, MIQ, ndërkohë 12 të tjerë janë në CPAP maskë.
Gjatë 24 orëve të fundit, Avdaj thotë se në spitalin që ai drejton janë kryer 110 vizita për koronavirus.
E spitali rajonal i Prizrenit është ndarë në tri ndërtesa për trajtimin e pacientëve me Covid-19.
Në ndërtesën e parë janë duke u trajtuar pacientët e konfirmuar me koronavirus. Në të dytën ata që janë në pritje të rezultateve si dhe në ndërtesën e tretë po trajtohen pacientët që nuk kanë Covid por sëmundje të tjera e që kanë nevojë për mjekim.
Në të gjithë spitalin e Prizrenit janë 536 shtretër. Nga ky numër 463 shtretër e kanë të instaluar oksigjenimin qendror.
E ky spital asnjëherë deri më tani nuk e ka pasur numrin më të lartë të pacientëve të shtirë për Covid-19. Kjo u bë e ditur nga vetë Avdaj.
Ai tha se numrin më të lartë të pacientëve e kishin pasur më 13 gusht, ku të shtrirë kishin qenë 104 pacientë. Ndërkohë, ky rekord u thye pak ditë më parë, ku numri i pacientëve të dyshuar apo të konfirmuar me Covid-19 në këtë spital kishte shkuar në 124 pacientë.
E në raportin 24-orësh të IKSHPK-së raportohet edhe për 19 persona të infektuar me Covid-19. /GazetaExpress/