Më shumë se gjysma e kosovarëve refuzojnë ta marrin vaksinën anti-COVID. Kjo bëhet e ditur në një anketë të realizuar nga kompania e njohur botërore “Gallup”, e cila është realizuar përgjatë periudhës 13 nëntor deri më 15 dhjetor 2020, raporton portali “Front Online”.
Për më keq, sipas kësaj ankete, Kosova renditet në top dhjetë vendet e botës që e refuzon vaksinën anti-COVID-19. Më keq se kosovarët në Ballkan kanë dalë vetëm boshnjakët.
“56% e kosovarëve nuk pranojnë të vaksinohen kundër COVID-19, përderisa një shifër e tillë në Bosnjë dhe Hercegovinë arrin në 61%. Përqindja e qytetarëve që e refuzojnë vaksinën në Maqedoni të Veriut është 53%, ndërsa në Shqipëri pak më e ulët 52%”, bëhet e ditur në këtë anketë të publikuar para pak ditësh, raporton Front Online.
Në anën tjetër, vetëm 32% e kosovarëve pranojnë ta marrin vaksinën, përderisa kjo shifër tek qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës nuk e kalon 30 përqindëshin.
Një anketë të tillë “Gallup” e ka realizuar në gjithë botën, ku bëhet e ditur se 1 miliardë qytetarë nuk dëshirojnë ta marrin vaksinën anti-COVID.
Në vitin e parë të plotë të pandemisë COVID-19, shumica e të rriturve në të gjithë botën (68%) i thanë Gallup-it se ata do të bien dakord të vaksinohen nëse një vaksinë do të ishte në dispozicion të tyre pa ndonjë kosto. /Front Online/