Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka pritur sot në takim Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.
Pritja e ambasadorit Sakar bën pjesë në vazhdën e takimeve me përfaqësuesit e korit diplomatik në Kosovë.
Ministri Mehaj në këtë takim falënderoi dhe shprehi mirënjohje ndaj Republikës së Turqisë për përkrahjen që i ka dhënë FSK-së.
“E falënderova ambasadorin Sakar për vizitën e tij dhe i shpreha mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për Republikën e Turqisë, për ndihmën dhe mbështetjen e ofruar në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale ushtarake të FSK-së”, tha Mehaj.
Kurse ambasadori turk shfrytëzoi rastin që në këtë takim t’i përcjellë Mehajt urimet për marrjen e detyrës së ministrit.
Ndër të tjera, të dy u pajtuan që bashkëpunimi në nivel të Ministrive të Mbrojtjes të fuqizohet edhe më tej në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë.