Shpalljen e tenderit ku parashihet shpenzimi i një shume prej 30 mijë eurosh për dekorimin e Prizrenit për Vitin e Ri, PDK dega në Prizren e konsideron jo vetëm të panevojshme, por edhe provokative në këtë situatë të izolimit pandemik.
Në njërën anë, kur tashmë çdo ditë po flitet për masa të reja e mbyllje nga infektimi, qeverisja e degraduar e Prizrenit, planifikon dekorim të qytetit, që në fakt është dëshmia e radhës për keqmenaxhim të parasë së qytetarëve.
Në kohën kur gjithnjë e më shumë raportohet për shtim të rasteve me të infektuar dhe të vdekur, ndërsa shumë familje janë në gjendje të rëndë ekonomike për shkak të situatës së krijuar dhe kur shumë dasma e gëzime nuk janë mbajtur apo janë shtyrë, shtrohet pyetja se kush do të mendojë për ndonjë atmosferë në qytet, aq më tepër për të shpenzuar një shumë kaq të lartë të buxhetit për dekor.
Në vend se të mendohet për përballimin e situatës, që po rëndohet edhe në Komunën e Prizrenit, qeverisja e Vetëvendosjes, nuk mendon për prioritete që nxjerr situata, por mendon vetëm si t’i harxhojë paratë.
PDK, i’a kujton kryetarit Haskuka dhe axhami-qeverisjes së Prizrenit, se kjo është kohë për të shpëtuar jetë dhe asesi nuk ka luks, që paratë të shpenzohen për argëtim.
Shpallja e tenderit për dekorim, ndërkohë që mijëra familje po mendojnë si ta kalojnë këtë dimër të veçantë shkaku i papunësisë së krijuar dhe kur qindra nxënës e studentë nuk janë në gjendje t’i ndjekin mësimet përmes internetit shkaku i mungesës së kushteve dhe pajisjeve teknologjike, përbën edhe një paradoks në Prizren.
Për këtë PDK kërkon që mjetet për dekorimet e Vitit të Ri, të përdoren për të ndihmuar familjet me asistencë sociale dhe për të siguruar laptopë për nxënës e studentë, që nuk kanë kushte për t’i ndjekur mësimet cilësore. Konsiderojmë se një sasi duhet mbajtur rezervë, për mbështetjen e njerëzve të prekur më shumë nga humbja e të ardhurave, papunësia dhe falimentimi.
Nëse Haskuka nuk do ta pranojë propozimin tonë, atëherë ekziston dyshimi se bëhet fjalë për interes biznesi në dekorimin e Prizrenit, thuhet në njoftim./tvprizreni.net/