Në emisionin “Kallxo Pernime” po transmetohet hulumtimi rreth krijimit të trupave inspektuese për kontrollin e cilësisë së naftës.Udhëzimi administrativ i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kontrollin e cilësisë së naftës këtë vit ia mori Doganës së Kosovës dhe e kaloi te trupat inspektuese private të emëruara nga kjo Ministri.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka emëruar dy kompani për kontrollin e cilësisë së naftës. Kompaninë e Jakup Gashit dhe kompaninë e Valdet Teneqes.
Valdet Teneqja, pronari i kompanisë “Euro Inspekt”, është baxhanaku i Endrit Shalës, ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë.
Teneqja thotë se emërimi i tij nuk lidhet me baxhanakun e tij ani pse vendimi e mban nënshkrim e baxhanakut.
“Është e vërtetë që unë jam baxhanak i Endritit. Unë në MTI fushën e kontrollit të cilësisë së naftës e mbuloj prej vitit 2008 dhe kam eksperiencë të gjatë në këtë fushë dhe pastaj në vitin 2018 vendosa ta hap ketë kompani si trup inspektuese sepse unë jam ekspert i kësaj fushe dhe mendoj me zgjeru akoma edhe me shumë dhe pretendoj me kalu edhe për trupë certifikuese se ka nevojë në Kosovë kështu që kur unë kam qenë baxhanaku nuk e besoj që e ka ditë që jam. Unë nuk mendoj që ka konflikt interesi sepse kemi të bëjmë me një fushë shumë specifike dhe momentin kur e ka bërë emërimin Endriti kompetencat kanë qenë te Dogana e Kosovës dhe as qe është menduar me u kthy”, theksoi Teneqja.
Endrit Shala, ish-ministër i MTI-së, për nënshkrimin e tij në vendimin për emërim të baxhanakut ka thanë se është akt ceremonial dhe nuk ka të bëjë më të.
“Ministri e ka nënshkrim ceremonial, janë komisionet, janë ato tjerat që i kryejnë komplet ato departamentet. Pyete Ministrinë, ata përgjigjen më së miri. Dëgjom. A e din çka je tu pyet? Unë i kam 8 baxhanakë, tu kisha lutë se sa e di unë prej 2004 punon, qysh të përgjigjet Ministria Behar shoqi jem se d.m.th. nuk kam njohuri, se çka do që t’më pyetsh është çështje shumë profesionale e departamenteve e agjencioneve, aty mos më pyet. Qysh të përgjigjet Ministria se që 2 vite nuk jam aty”, ka thanë Shala.
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, qysh në janarin e këtij viti kishte premtuar shfuqizimin e këtij udhëzimi por i njëjti nuk ka ndodhur ende.
“Ai udhëzim administrativ duhet të shfuqizohet sepse nuk do të lejojmë që të ketë udhëzime të tilla në kundërshtim me ligjin e aq ma pak ato që tentojnë të krijojnë monopole”, kishte thanë Hoti në janarin e këtij viti.
Hoti kishte shtuar se i ka dërguar shkresë ministrit të MTI-së Vesel Krasniqi por i njëjti nuk e ka shfuqizuar udhëzimin. I pyetur nga Kallxo.com ministri Krasniqi ka potencuar se udhëzimi është ne fuqi dhe nuk shfuqizohet.
“Udhëzimi administrativ nuk shfuqizohet sepse është në fuqi, i kemi dërguar sqarimet tona sepse na ka kërkuar sqarime kryeministri”, ka thënë Krasniqi.
Trupat Inspektuese ishin kthyer te Dogana e Kosovës në kohën e Hykmete Bajramit, ish-ministre e MTI-së, e cila ka thënë se ende beson që veprimi i saj ka qenë mënyra e duhur që kontrollin e cilësisë ta bëjë Dogana e Kosovës.
“Unë kur kam qenë në krye të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Pas shumë analizave me udhëzimet administrative jua kemi marrë kompetencën e kontrollit të cilësisë së naftës trupave Inspektuese dhe të njëjtën e kemi bartur te Dogana e Kosovës. Unë kam besuar atëherë, siç besoj edhe sot, se kjo ka qenë mënyra e duhur për kontrollin e cilësisë deri sa shteti t’i ndërtojë mekanizmat për kontrollin e punës së trupave inspektuese. Nuk jam marrë më me këtë. Për të tjerat pyetni kryeministrin sepse në këtë Qeveri ju e dini unë kam pasur tjetër dikaster”, ka thanë Bajrami.
Një ish ministër tjetër i kësaj Ministrie Bajram Hasani ka folur për presionet që sipas tij i kishte pasur nga paria e tij atëherë Nisma Socialdemokrate që të hartohen udhëzime të tilla.
“ka qenë ide edhe në kohën time mirëpo unë çdo herë kam dyshuar se këto udhëzime po krijohen për të përfituar dikush sepse këta nuk e kanë pasur qëllimin e kontrollit të naftës por qëllimin me i dhanë baxhanakut tenderin”, tha Hasani.