Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, po tenton ta hedh poshtë aktakuzën e ngritur ndaj tij dhe tre ish-udhëheqësve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Mbrojtja e Thaçit ia ka dërguar një mocion gjykatësit Nicolas Guillou, për ta hedhur poshtë aktakuzën e konfirmuar, për shkak të mungesës së juridiksionit.
Në parashtresën e mbrojtjes thuhet se akuzat e rreshtuara në aktakuzë s’kanë të bëjnë me pretendimet kundër Thaçit në Raportin e Këshillit të Evropës mbi “Trajtimin çnjerëzor të njerëzve dhe trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”, përpiluar nga senatori Dick Marty.
Sipas parashtresës, Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka tejkaluar afatin e parashikuar ligjërisht për kryerjen e hetimeve penale sipas nenit 159 të Kodit të Procedurës Penal. Në parashtresë thuhet gjithashtu se mandati i përkohshëm i Gjykatës dhe Prokurorisë Speciale ka skaduar më 3 gusht. Sipas mbrojtjes, Gjykata Speciale nuk ka juridiksion sipas neneve 12 dhe 16 (1) të Ligjit të KSK për ta ndjekur penalisht Thaçin për krime të pretenduara të jenë kryer në kuadër të nnjë ndërmarrje të përbashkët kriminale.
Mbrojtja e Thaçit përmend edhe pretendimet në librin e ish-prokurores së Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, Carla Del Ponte, raportin e Dick Martyt, deklaratat e Clint Williamsonin si dhe hartimin e amandamentit kushtetues numër 24 dhe krijimin e Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale.“Pretendimi i Williamson se hetimi i tij ishte një shkallë e plotë “hetim penal në të gjithë Kosovën” u pasqyrua në gjetjet e tij që shkuan përtej akuzave për trafik organesh dhe trajtimit çnjerëzor në qendrat e paraburgimit në Shqipëri që ishin në fokus të Raportit Marty”, thuhet në parashtresë, raporton Express.
Mbrojtja thotë se Kuvendi i Kosovës ishte i vetëdijshëm për fushën e gjetjeve të Williamson kur hartoi amendamentin kushtetues nr. 24 për krijimin e Dhomave të Specializuara dhe ZPS-së.
“Në vend që të miratojë fushën e hetimit të Task Forcës Speciale Hetuese, Asambleja rivendosi në fushën juridiksionale të këtyre institucioneve të reja, duke lidhur qëllimin dhe ekzistencën e tyre në nenin 162 (1) me pajtueshmërinë me “detyrimet ndërkombëtare në lidhje me [Raportin e Marty]”. Debatet në Asamblenë Kombëtare mbi ndryshimin kushtetues konfirmojnë se qëllimi ishte të kufizohej juridiksioni i Dhomave të Specializuara në pretendimet në Raportin Marty dhe të kufizohej jeta e Dhomave të Specializuara në pesë vjet”, thuhet në mocion.
Mbrojtja pretendon se aktakuza është përpiluar duke mos i përfillur kufizimet e vendosura nga Kushtetuta.Si mbështetje për pretendimet e parashtruara, mbrojtja përmend edhe termin “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Sipas mbrojtjes, ndërmarrja e përbashkët kriminale nuk përfshihet në statutin e Gjykatës Speciale.“Ndërsa bashkëkryerja është me të vërtetë një formë e përgjegjësisë së “komisionit”, ZPS nuk ka dhënë asnjë justifikim për mbështetjen e tij në ndërmarrjen e përbashkët kriminale në akuzimin e të akuzuarit”, thuhet në parashtresë.Mbrojtja kërkon që gjykatësit e Speciales ta zbatojnë të drejtën zakonore ndërkombëtare dhe materiale penale të Kosovës, duke argumentuar se ky “ndërmarrja e përbashkët kriminale” nuk e gëzon statusin e së drejtës zakonore ndërkombëtare në kohën e krimeve të prentenduara në aktakuzë.Katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi u arrestuan dhe u dërguan në paraburgimin e Speciales në Hagë në fillim të nëntorit të vitit që shkoi.Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.