Shkruan: Msc. Qazim Morina
Një nga krimet më makabre të forcave serbe ndaj banorëve të zonës kufitare në Hasin e Prizrenit, pas dëbimit të popullatës për në Shqipëri gjatë fundit të marsit dhe fillimit të prillit 1999, është ai i ekzekutimit dhe hedhjes në puse.
Kësisoj, puset, që në rajonin e Hasit, për shkak të mungesës së ujit dhe investimeve në ujësjellës nga ish-pushteti jugosllav, shiheshin si një burimi i rëndësishëm i jetës, nga serbët u shndërruan në burim të vdekjes apo varre të të pambrojturve.
Policia, ushtria dhe forcat paramilitare serbe duke mos kursyer njerëz të pafajshëm, në mënyrën më mizore, pas vrasjes hodhën në puse, dy të rinj nga Kushnini.
Në pusin e Dervish Likajt në fshatin Dedaj, me të përfunduar të luftës në korrik 1999 janë gjetur trupat e Naim Zenun Temajt (18 vjeçar) dhe Florim Tahir Morinës (17 vjeçar).
Florim Morina
Pas dëbimit të popullatës nga Kushnini, ata janë strehuar me disa familjarë në fshatin e afërt Lugishtë, por më pas janë ndarë prej tyre. Referuar familjarëve, ata janë zënë te Ura e Kabashit më 5 prill 1999, nga paramilitarë serbë, të cilët ishin stacionuar aty afër tek lagjja e Tanajve (një kodrinë e vogël mes Dedajve e Kabashit).
Rasti i ishte zbuluar tre muaj më pas, kur pronari kishte nisur pastrimin e pusit, ndërsa pas heqjes së disa gjësendeve të shtrojës, si jorganëve e të tjera, kishte hasur në trupa njerëzish. Kjo kishte alarmuar familjarët e të zhdukurve, të cilët të trishtuar pritnin nxjerrjen e kufomave.
Njëri nga familjarët e Naimit, Riza I. Temaj, që ishte prezent në momentin e nxjerrjes së kufomave, thotë se në trupin e tyre, përkatësisht në bark ka pasur shenja të plumbave, andaj dyshohet se pas ekzekutimit me armë, ata janë hedhur në pus. “Shkaku i temperaturës së ultë në pus, kufomat nuk ishin të dekompozuara, por ai moment është regjistruar si diçka e trishtë në kujtesën time”, kujton ai.
Naim Temaj
Pasqyrimet e veprimeve të tilla tregojnë se çfarë tmerri ka përjetuar populli i pafajshëm i Kosovës, nga forcat serbe, ndërsa krimet e kryera që dëshmojnë për fytyrën reale të një regjimi siç ishte ai i Milosheviqit, kanë mbetur të pandëshkuara.
Do theksuar se këtë formë të ekzekutimit të shqiptarëve e ka pasqyruar në një libër dhe film dokumentar, Josef Martinsen. Gjatë prezantimit që ka bërë në Prizren, ai ka treguar se ka qenë i angazhuar nga Kisha e Norvegjisë dhe UNHCR-i, me një mision humanitar në Kosovë, për të koordinuar një program emergjent për çështjen e zhvendosjes se trupave të vdekur nga puset kudo në Kosovë.
“Nxjerrja e trupave të civilëve nga puset ishte një përvojë e frikshme, por u deshtë ta bënim pasi të afërmit e viktimave e pritnin me padurim dhe se askush nuk e dinte se kush qëndronte në puse”, ka thënë ndër të tjera Martinsen, duke treguar se një miku i tij i ka rekomanduar, që punën e bërë ta dokumentojë edhe në një libër.
Josef Martinsen
Në 2005, Martinsen publikoi librin e parë “Kosova: Puset e vdekjes”. Katër vjet më vonë, në 2010, ai e publikoi, “Çfarë ndodhi në Kosovë -1998/99 – dokumentim”. Më 2011 ai prezantoi filmin dokumentar “Procesi i pas luftës” rreth krimeve të luftës në Kosovë.