Një vit me pandeminë COVID-19
Më 13 mars të vitit 2020 u konfirmuan dy rastet e para me COVID-19 në Kosovë – një 20 vjeçare që ishte shtetase italiane dhe një 77 vjeçar nga Stublla e Vitisë.
Dy ditë më vonë, më 15 mars [2020], Qeveria e Kosovës – që në atë kohë drejtohej nga Albin Kurti – shpalli Gjendjen Emergjente të Shëndetit Publik.
Nëntë ditë pas konfirmimit të dy rasteve të para me COVID-19, ky virus i mori jetën personit të parë në Kosovë.
Një 85 vjeçar nga Dumnica e Podujevës u bë viktima e parë e koronavirusit në vend. Pacienti, që kishte edhe sëmundje të tjera kronike, ndërroi jetë më 22 mars në Klinikën Infektive dhe u varros në fshatin e tij të lindjes.
Në ndërkohë, i biri i tij u bë pacienti i parë që llogaritet si i shëruar nga COVID-19 në Kosovë.
Kur është bërë një vit që nga konfirmimi i rasteve të para, numri i përgjithshëm i të prekurve nga ky virus ka rritur në 76 mijë e 688 raste pozitive, janë shëruar 64 mijë e 362 persona derisa kanë humbur jetën 1 mijë e 696 pacientë.
Ekzekutivi, që nga muaji mars i vitit të kaluar, mori masa të ndryshme për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në vend.
Kufizimi i lëvizjes së lirë në orë të caktuara, ndërprerja e mësimit, pezullimi i linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor me vendet që kanë risk të lartë të përhapjes së COVID-19, vetkarantinimi për qytetarët që hyjnë në Kosovë nga zonat epidemike me rrezik të lartë, anulimi i aktiviteteve publike dhe jo publike ku mund të kishte grumbullim të njerëzve, ndalimi i veprimtarisë së restoranteve, klubeve të natës dhe pishinave ishin disa nga masat që qeveritë e vendit kanë marrë – disa nga këto vendime janë ende në fuqi.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një intervistë për klankosova.tv ku flet për ballafaqimin njëvjeçar me COVID-19 thotë se Kosova ka qenë dhe mbetet shembull se si menaxhohet pandemia.
“Të gjithë morën mësime, morëm edhe ne, në ndërkohë duke i fuqizuar edhe kapacitetet edhe vendosmërinë për ta fituar luftën. Kemi qenë shembull dhe mbesim shembull si menaxhohet pandemia. Për këtë janë dëshmi shifrat, arritjet dhe përkushtimi i personelit shëndetësor – heronjtë e ditëve tona”.
Humbja e jetës së njerëzve ka qenë sfida më e madhe për Armend Zemaj si ministër dhe si prind e familjar.
Derisa Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ende nuk ka nisur me procesin e vaksinimit kundër koronavirusit, i pari i shëndetësisë ka thënë se vaksinat kundër COVID-19 do të vijnë në periudhën mars-maj.
“Në periudhën mars-maj, COVAX ka njoftuar se do të shpërndahen për Kosovën 100 800 vaksina, por vazhdojmë tutje të jemi të angazhuar edhe me partneritete të tjera, me shtetet mike, me Pfizer dhe prodhuesit e tjerë të vaksinave për të siguruar sa më shumë vaksina kundër COVID-19”.
U premtua se këto vaksina do të vijnë në muajin shkurt dhe një gjë e tillë nuk ndodhi, por Zemaj nuk fajëson ministrinë që ai drejton e as institucionet tjera. Ai thotë se organizatat ndërkombëtare dhe vendet mike s’kanë bërë krejt çka munden që Kosova të marrë shpejt vaksinat kundër COVID-19.
INTERVISTA E PLOTË:
Si do ta përshkruanit betejën njëvjeçare të Kosovës me pandeminë?
Armend Zemaj: Betejë të vendosur kundër virusit të panjohur, betejë çdo ditë e natë, me shenja, me pasoja. Por, në beteja duke dalë çdo ditë më të fortë e më të vendosur për ta fituar luftën. Qytetarë të disiplinuar, personel të përkushtuar deri në vetëmohim, me besim të ndërsjellë më të gjithë mekanizmat e institucioneve në frontin e përbashkët.
Sa ka qenë i vështirë menaxhimi dhe ku gjendet Kosova në raport me vendet e tjera për menaxhim?
Armend Zemaj: Menaxhimi i ka pasur sfidat e veta, sepse e pamë se shtetet e fuqishme globale u dëmtuan rëndë. Shtetet që pretendonin se dinë si ta luftojnë virusin shumë herë nuk ia dolën.
Të gjithë morën mësime, morëm edhe ne, në ndërkohë duke i fuqizuar edhe kapacitetet edhe vendosmërinë për ta fituar luftën. Kemi qenë shembull dhe mbesim shembull si menaxhohet pandemia. Për këtë janë dëshmi shifrat, arritjet dhe përkushtimi i personelit shëndetësor – heronjtë e ditëve tona.
Cilat kanë qenë vështirësitë më të mëdha që keni hasur me pandeminë që nga marrja e mandatit?
Armend Zemaj: Humbja e jetës është sfida më e madhe për mua, qoftë si ministër, qoftë si njeri, prind dhe familjar. Vështirësitë më të mëdha kanë qenë aftësimi i sistemit shëndetësor dhe furnizimit, infrastukturës, resurseve humane e deri te sigurimi i vaksinës. Gjendja jonë në skenën globale vuri në sprovë edhe miqësitë e mirëfillta – na furnizuan me teste, me mjetet mbrojtëse dhe barna.
Sigurimi i vaksinës kundër COVID-19 ka qenë angazhimi jonë i plotë, por si duket organizatat ndërkombëtare përkrahëse tonat, por edhe vendet mike nuk i kanë përdorur të gjitha instrumentet për të na mundësuar shpejt marrjen e vaksinave.
Çka rreth vaksinave kundër COVID-19?
Armend Zemaj: Po presim realizimin e ardhjes. Shkurti ishte një datë e konfirmuar se arrijnë vaksinat.
Në periudhën mars-maj, COVAX ka njoftuar se do të shpërndahen për Kosovën 100 800 vaksina, por vazhdojmë tutje të jemi të angazhuar edhe me partneritete të tjera, me shtetet mike, me Pfizer dhe prodhuesit e tjerë të vaksinave për të siguruar sa më shumë vaksinat kundër COVID-19.
Fakti që deri tash nuk i kishim vaksinat nuk kishte të bënte as me buxhetin, as me mungesë angazhimi dhe aq më pak me mospërmbushjen e kushteve dhe kritereve të kërkuara nga secili prodhues dhe shtet, që të kualifikohemi për ta siguruar vaksinën. Madje, as një projekt i vetem që lidhet me COVID-19 nuk ka mbetur pa u realizuar për mungesë buxheti, pavarësisht rrethanave.
A pritet të ketë rritje të numrit të rasteve të reja me COVID-19 dhe sa është arritur imunizimi i tufës?
Armend Zemaj: Situata është nën monitorim të vazhduar. Institucionet po bëjnë çdo gjë që të jetë e kontrollueshme dhe e menaxhueshme gjatë gjithë kohës. Ka vend për përmirësime, mundemi më mirë dhe më shumë. Po shpresojmë të bëjmë më të mirën në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve. Është e domosdoshme që edhe në këtë kohë respektimi i masave anti COVID-19 të jetë sa më i mirë. Secili instiucion duhet të jetë në krye te detyrës.