Valë Gjonabalaj Azemi, asistentja e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, ka shkuar sot për vizitë në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ajo sot ka dërguar një letër në partinë që edhe pak ditë është nën drejtimin e Isa Mustafës.
Siç merr vesh T7, letra ka qenë një ftesë për Lidhjen Demokratike të Kosovës për t’u takuar rreth çështjes së presidentit.
Lidhur me këtë për T7 ka folur kreu në dorëheqje i LDK’së, Isa Mustafa. Ai ka thënë se për rrugën që do të ndjekin rreth çështjes së presidentit do të vendosin pasi partia të bëhet me struktura të reja.
Me 14 mars 335 delegatët e partisë do votojnë për të parin e LDK-së.
Deri më tani zyrtarisht janë shpallur katër kandidatura.
Lutfi Haziri, Anton Quni, Lumir Abdixhiku e Besian Mustafa i janë futur garës për të zënë karrigen e kryetarit të partisë.
Zgjedhjet në LDK erdhën si pasojë e dorëheqjes së kryetarit të partisë pas rezultatit tejet të dobët në zgjedhjet e fundit parlamentare.