Mbrëmjen e 22 shtatorit të vitit 2020 është vrarë nga policia, Besnik Shala, para shtëpisë së tij në lagjen ” Tusus” të Prizrenit. Pas më shumë se 5 muajve, vëllau i tij, Mustafa , jep versionin e vrasjes së Besnikut, nga informacionet që ka marrë nga familjarët, pasi ai vet në momentin kritik nuk ndodhej në shtëpi.
Ai thotë më tej se, vëllau i tij nuk e ka merituar të vritet nga organet shtetërore, dhe familja nuk i di arsyet që rezultuan deri tek vrasja. Nëse ka patur të kaluar kriminale për të cilen ka qenë edhe në burg, ai është dashur më ndryshe të trajtohet nga shteti e jo të vritet, theksoi më tej ai.
Mustafë Shala, thotë se pas vrasjes së të vëllaut, shteti nuk është interesuar fare për gjendjen e familjarëve, të cilët janë të traumatizuar që nga mbrëmja e kobshme e 22 shtatorit, ndërsa ai vet thotë se pas rastit të të vëllaut, ai është larguar nga puna dhe nuk po mund të gjej më ndonjë vend të punës, ndërsa familja mirëqenien e siguron vetëm nga puna që bën prindi i tij. Për të gjithë rastin në fjalë, ai në emër të familjes paralajmëron padi ndaj organeve shtetërore.
Ndryshe, sipas versionit të Policisë pas vrasjes së Besnik Shalës, thuhej se ai është vrarë, pas një shkëmbimi të zjarrit që i njëjti ka pasur me policinë. Sipas Policisë, i dyshuari, ishte në kërkim për veprën penale të tentim-vrasjes, dhe në momentin që i njëjti ka parë zyrtarët policorë, ka shtënë me armë në drejtim të tyre.
Pas shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë ai, thuhej në deklaratën para mediave nga zyrtarë të Policisë./tvprizreni.net/