Rikthimi në rinumërim i shumë vendvotimeve pas dyshimeve për manipulim të votave, ka shtruar zërat e kandidatëve të partive politike të cilët kanë kërkuar që i tërë procesi të kthehet në rinumërim.
Një kërkesë të tillë e ka edhe Albena Reshitaj, kandidate nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Ajo nëpërmjet një statusi në Facebook ka thënë se për hirë të demokracisë më e pakta që mund të bëjë KQZ është të marrë vendim për rinumërim të të gjitha vendvotimeve.
“Duke i parë rastet tashmë të konstatuara edhe nga PZAP në tjetërsimin e besimit qytetarë si dhe duke përcjellur edhe kërkesat e kandidatëve për deputet nga shumë parti politike për rinumërim të votave, konsideroj që më e pakta që mund të bëjë KQZ për të parandaluar këtë degradim të vullnetit të qytetarëve është marrja e vendimit për rinumërimin e të gjithe vendvotimeve”, ka shkruar ajo.
Reshitaj ka thënë se vetëm rinumërimi total i votave do të zbardh të vërtetën e gjithë këtij lëmshi.
“Kjo është mirë të bëhet para së gjithash edhe për të ardhmen, në mënyrë që manipuluesit eventual në zgjedhjet e ardhshme mos ta ndijnë vetën komod se mund të luajnë me votat, pa iu nënshtruar përgjegjësisë dhe ballafaqimit me ligjin dhe llogaridhënjen! Ky vend njëherë e përgjithmonë duhet të bëhet si duhet, dhe kjo arrihet vetëm me transparencë totale dhe përgjegjësi ligjore!”, ka shkruar Reshitaj.