Deri të hënën në mesditë, PZAP-ja duhet të vendosë për 208 ankesat e kandidatëve të subjekteve politike, lidhur me publikimin e rezultateve përfundimtare. Ankesa ka prej të gjitha subjekteve. Ndërkaq, të premten do të duhej të merrnin epilog edhe ankesat eventuale pranë Gjykatës Supreme
Është zgjeruar rrethi i akuzave për vjedhje votash brenda Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, fenomen ky që zyrtarisht nuk ka qenë i evidentuar më parë, e ku është i përfshirë stafi i angazhuar nga KQZ-ja. Pavarësisht kësaj, në institucionin që merren me organizimin e zgjedhjeve kanë refuzuar të komentojnë përderisa organet e hetuesisë nuk e japin verdiktin. KOHA ka mësuar se të dyshuarit në rastin e Meliza Haradinajt tashmë janë identifikuar dhe janë marrë në pyetje nga organet e hetuesisë
Prishtinë, 7 mars – Dyshimet për manipulim të votave brenda Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve kanë nxitur reagime të shumë kandidatëve, që kanë kërkuar rinumërim të kutive.
Pas AAK-së, edhe nga LDK-ja janë ngritur akuza për vjedhje votash brenda listës së partisë. Ka qenë kandidatja e LDK-së për deputete, Lirije Kajtazi, e cila ka ngritur dyshime mbi numërimin e votave brenda listës së partisë së saj. Duke rishpërndarë raportimet për blerje votash brenda listës së AAK-së për ta bërë deputete ministren e Jashtme në detyrë, Meliza Haradinaj–Stublla, Kajtazi pretendon se i njëjti model është përdorur për ta lënë edhe atë jashtë listës së deputetëve të LDK-së.
“Me këtë model u përmbys edhe rezultati im në minutat e fundit, në qendrën për fabrikimin e rezultateve”, ka shkruar Kajtazi në “Facebook”.
Sipas rezultateve të shpallura nga KQZ-ja, Kajtazi ka marrë 5.444 vota dhe ka mbetur jashtë listës së 15 kandidatëve të zgjedhur nga lista e LDK-së. E fundit nga 15 të zgjedhurit në listën e LDK-së është Rrezarta Krasniqi, me 5.526 vota – 82 më shumë se Lirije Kajtazi.
Kajtazi është përkrahur nga ministrja në detyrë, Hykmete Bajrami, si dhe kandidati tjetër që nuk arriti të bëhej deputet, Faton Bislimi. Ankesa kanë pasur edhe kandidatët e AKR-së që ishin pjesë e listës së LDK-së.
Inxhineringu i votave të kandidatëve brenda QNR-së nuk ka qenë i evidentuar asnjëherë si fenomen, ku është i përfshirë stafi i angazhuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Pavarësisht kësaj, në KQZ kanë refuzuar të komentojnë, përderisa organet e hetuesisë nuk e japin verdiktin.
“Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria. KQZ-ja është në komunikim me Prokurorinë dhe çkado që kërkojnë jemi në dispozicion të tyre. Derisa të vërtetohet prej Prokurorisë se çka ka ndodhur ne jemi në pritje”, ka thënë Burim Ahmetaj, kryeshef në Sekretariatin e KQZ-së.
Por, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thotë se KQZ-ja bart një pjesë të përgjegjësisë, teksa shton se kjo situatë e minon besimin e qytetarëve ndaj rezultatit zgjedhor.
“Ne si DNV kemi kërkuar nga Prokuroria që intensivisht ta hetojë këtë rast, në mënyrë që të hiqet çfarëdo dileme në lidhje me vërtetësinë e rezultateve, sidomos të kandidatëve të subjekteve politike. Po ashtu, unë besoj që edhe heshtja e KQZ-së dhe kufizimi i tyre në lënien e kësaj çështjeje tek organet e hetuesisë është i pavend, meqenëse ky staf është i angazhuar nga KQZ-ja dhe QNR-ja, pra nuk është staf i angazhuar prej partive politike. Për rrjedhojë, KQZ-ja bart një pjesë të përgjegjësisë për këtë situatë”, ka theksuar Cakolli.
KOHA nuk ka arritur të marrë një qëndrim prej policisë dhe prokurorisë. Por, sipas burimeve, të dyshuarit në rastin e Meliza Haradinajt tashmë janë identifikuar dhe janë marrë në pyetje nga organet e hetuesisë.
Dyshimi ka të bëjë me manipulimin e 680 votave ku shpërfaqet mospërputhje mes formularit faktik dhe atyre që janë proceduar në sistem.
Meliza Haradinaj-Stublla është akuzuar nga bashkëpartiakja e saj se ka ndikuar në ndryshimin e numrit të votave të saj.
Florentina Gjergjaj, e cila ka kandiduar për deputete në listën e AAK-së menjëherë pas publikimit të rezultateve përfundimtare, është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Ajo ka kërkuar nga PZAP-ja që t’i rinumërojë votat e saj dhe të Haradinajt. Ajo është e fundit në listën e AAK-së që ka siguruar ulëse, me 4 mijë e 424 vota, duke i lënë kështu jashtë Kuvendit, Florentina Gjergjajn dhe Albana Bytyqin, që kanë pak diferencë në vota. Përmes një statusi në “Facebook”, Haradinaj ka paralajmëruar padi ndaj Gjergjajt.
E, Cakolli ka përmendur si opsion rinumërimin e kutive meqë tashmë dihet se nga cilët përdorues janë procesuar të dhënat.
“Nëse vërtetohen se kemi të bëjmë me skema të tilla të manipulimit dhe falsifikimit të qindra votave, atëherë do të duhej të shihej mundësia që të rinumërohen të gjitha kutitë meqenëse nëse një skemë e tillë mund të bëhet me 600 vota, e njëjta mund të bëhet edhe me më pak vota. Nëse kihet parasysh fakti se një pjesë e kandidatëve kanë mbetur jashtë Kuvendit pikërisht për dhjetëra vota, atëherë padyshim që duhet të hiqen të gjitha dilemat dhe mënyra më e mirë për këtë është që të ketë rinumërim të vendvotimeve të tjera”, ka potencuar Cakolli.
Sipas tij, dyshimet për ekzistimin e skemave të tilla hedhin një hije të madhe të dyshimit dhe minojnë besimin e publikut me rezultatin zgjedhor.
“Nëse evidentohet se mund të ketë pasur skema të tilla, mund të lindin pyetje se a ka qenë Kuvendi gjithmonë refleksion i vullnetit qytetar apo i manipulimeve përkatësisht falsifikimit që mund ta ketë bërë stafi qoftë i QNR-së apo në vendvotim. Ka ardhur koha që të shihet mënyra e votimit preferencial në tërësi dhe të parashihen edhe modele të ndryshme për të evituar situata të tilla, edhe pse vlen të përmendë faktin se në QNR dhe mënyra se si organizohet puna atje, heq në masë të madhe mundësitë për manipulime të tilla. Për skema të tilla do të duhej të kishte përfshirje të akterëve dhe jo dy apo tre sosh siç vërehen në video-incizim”, ka potencuar Cakolli.
Derisa te subjektet shqiptare ka akuza brenda llojit për vjedhje votash, partitë joserbe nga komunitetet pakicë janë ankuar për uzurpim të vendeve të garantuara. Kandidatet për deputete nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje dhe Emilia Rexhepi, kanë ngritur shqetësimin se deputetët e minoritetit boshnjak janë përcaktuar me votat serbe dhe me ndikim direkt nga Beogradi. Përfaqësues të këtyre subjekteve kanë paralajmëruar ankesë edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Deri të hënën në mesditë, PZAP-ja duhet të vendosë për 208 ankesat e kandidatëve të subjekteve politike, lidhur me publikimin e rezultateve përfundimtare. Ankesa ka prej të gjitha subjekteve.
Ndërkaq, të premten do të duhej të merrnin epilog edhe ankesat eventuale pranë Gjykatës Supreme.
KQZ-ja duhet t’i presë edhe ankesat në Supreme para se t’i certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit. Sipas rezultateve të shpallura, Vetëvendosje ka siguruar 58 ulëse në Kuvend, PDK-ja 19 e LDK-ja 15. Pas LDK-së renditet Lista Serbe me gjithsej 10 deputetë, e pasuar nga AAK-ja me tetë e partitë e tjera që kanë 10 deputetë.
Nëse vendoset për rinumërim të shumicës së vendvotimeve, do të nevojiten një muaj kohë që të përmbyllet procesi. Në vitin 2019 janë dashur 50 ditë për t’i rinumëruar 90 për qind të vendvotimeve. Një shtyrje e tillë do ta rrezikonte afatin për zgjedhjen e presidentit të ri meqë ushtrueses së detyrës i skadon mandati në prill.