Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka filluar numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga përfaqësitë diplomatike.
Sipas KQZ-së, votimi në përfaqësitë diplomatike u mbajt më 27 dhjetor 2025 në 29 përfaqësi diplomatike në 18 shtete. Nga 19,187 shtetas të regjistruar për votim, kanë votuar 16,165 qytetarë, apo 84.24 për qind. Këto fletëvotime janë në proces numërimi.
Pas përfundimit të këtij procesi, do të vazhdojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi përmes postës, të tërhequra nga kutitë postare në Berlin dhe Bernë.
Ndërkohë, numërimi i votave po vazhdon edhe në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN). Deri të enjten në mesnatë, procesi është përmbyllur në pesë komuna: Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan dhe Suharekë, ndërsa po vazhdon në Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Gjilan dhe Ferizaj.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se planifikon që procesi i numërimit në të gjitha QKN-të të përmbyllet gjatë kësaj fundjave.
Sipas të dhënave të fundit, deri më 2 janar 2026, ora 10:00, janë procesuar mbi 90 për qind e vendvotimeve.
Procesi i numërimit ka përfunduar në 32 komuna, përfshirë: Mamushë, Shtërpcë, Junik, Hani i Elezit, Kllokot, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Zveçan, Viti, Zubin Potok, Ranillug, Dragash, Istog, Obiliq, Gllogoc, Deçan, Shtime, Klinë, Kamenicë, Fushë Kosovë, Leposaviq, Graçanicë, Vushtrri, Rahovec, Skënderaj, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan dhe Suharekë.
