Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka uruar Ditën e Veteranëve të UÇK-së “shokëve bashkudhëtarë dhe luftëtarëve dëshmitarë të dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës”, sipas tij.
Kurti ka theksuar se në saje të veprës dhe luftës së veteranëve është krijuar historia e çlirimit dhe shtetndërtimit të Kosovës.
“Urime Dita e Veteranëve të gjithë luftëtarëve të lirisë, atyre që me armë në duar dhe me guxim në shpirt, vullnetin për çlirimin e Kosovës e jetësuan në realitet historik. Veteranët e luftës çlirimtare, janë shokët bashkudhëtarë dhe luftëtarët dëshmitarë të dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës. Ju lumtë pushka luftëtarë, ju zgjatë jeta veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Me veprën dhe luftën tuaj, ju e keni bërë historinë e çlirimit të Kosovës, rrugë kjo në të cilën udhëtojnë të gjithë ata që angazhohen për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës dhe faktorizimin e kombit tonë” – shkruan ndër tjerash Kurti.
