Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka uruar kryetarin e Vetëendosjes, Albin Kurtin për fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Fitoren e Kurtit, e ka quajtur “domethënëse”.
“E kam uruar kryeministrin e rizgjedhur të Kosovës, për fitoren domethënëse dhe uroj që mandati i konfirmuar nga populli i Kosovës për Albinin e për partinë e tij, të kthehet në sukses e në mbarësi për Kosovën, si edhe për marrëdhënien vëllazërore mes dy shteteve tona. Gëzuar”- ka shkruar ai në “X”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet e 99.53% të vendvotimeve të numëruara për zgjedhjet e parakohshme që u mbajtën më 28.12.2025.
Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 430 mijë e 978 vota apo 49.29%, Partia Demokratike e Kosovës 183 mijë e 640 vota apo 21.00% dhe Lidhja Demokratike e Kosovës 118 mijë e 676 vota apo 13.57%.
Pas tyre vjen Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 49 mijë e 605 vota apo 5.67%, Lista Serbe me 41 mijë e 823 vota apo 4.78% dhe NISMA Socialdemokrate me 14 mijë e 975 vota apo 1.71%.
Rezultatet preliminare të KQZ-së, mund të qasen në këtë vegëz, në të cilën shihen edhe rezultatet e partive të tjera.
Këto rezultate janë nga votat e numëruara në vendvotime dhe nuk përfshijnë votat me postë, ato me kusht, ato të personave më nevoja të veçanta dhe të votave në përfaqësi diplomatike.
Pjesëmarrja në zgjedhje sipas KQZ ka qenë 45.03% apo 900 mijë e 330 votues nga 1 milion e 999 mijë e 204 votues në Listën Votuese.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë ishte 1,999,204 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 77,086.
Procesi zgjedhor brenda vendit u zhvillua në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.
Votimi në 29 përfaqësi diplomatike, në gjithsej 18 shtete ka ndodhur më 27 dhjetor.
Procesi zgjedhor jashtë Kosovës u organizua në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Kosovës që janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme, sipas të dhënave të KQZ-së. Atje patën të drejtë vote, 19,187 votuesit e regjistruar në 29 përfaqësi diplomatike.
