Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës ka deklaruar se përgjithësimi i gjithë sektorit si problematik për shmangie tatimore, pa analiza të thelluara dhe pa dallim të qartë mes bizneseve formale dhe atyre informale, është i padrejtë dhe dëmton rëndë imazhin e kompanive ndërtimore që veprojnë ligjërisht, paguajnë tatime dhe mbajnë gjallë ekonominë e vendit.
Shoqata ka reaguar ndaj deklaratave të drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, i cili ka thënë se sektori i ndërtimtarisë llogaritet si sektori me më së shumti shmangie të tatimeve.
“Shoqata thekson se: Ndërtimtaria është sektor me kosto shumë të larta operative, investime afatgjata dhe cikle të gjata kthimi, të cilat nuk reflektohen domosdoshmërisht proporcionalisht në të hyrat tatimore vjetore; Rritja e qarkullimit nuk është e barabartë me rritje të fitimit, veçanërisht në kushtet e rritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore, fuqisë punëtore, energjisë dhe barrës administrative; Formalizimi i plotë pengohet edhe nga procedurat e gjata, pasiguria ligjore, vonesat në leje ndërtimi dhe mungesa e një planifikimi urban të qëndrueshëm”, thuhet në reagim.
Shoqata ka shtuar se përkrah luftën kundër ekonomisë joformale dhe forcimin e disiplinës fiskale, por ka theksuar tutje se kjo nuk mund të arrihet përmes deklaratave publike “që krijojnë perceptim negativ dhe presion të padrejtë mbi një sektor të tërë”.
“Zgjidhja qëndron në dialog institucional, analiza reale sektoriale dhe politika stimuluese për formalizim”, thuhet tutje.
