Ramush Haradinaj është nominuar kandidat për kryeministër nga Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe bartës i listës për zgjedhjet e përgjithshme të datës 28.12.2025Haradinaj vet e ka kumtuar lajmin, ndërsa ka bërë të ditur se Këshilli i Përgjithshëm i AAK-së e ka miratuar edhe listën prej 110 kandidatëve për deputetë, sipas kriterit të gjithpërfshirjes rajonale, profesionale dhe gjinore.E sllogani i AAK-së në këto zgjedhje do të jetë “Krah Teje”.
“Aleanca ka miratuar edhe programin zgjedhor, i cili është i ndërtuar mbi tri shtylla kryesore: qëndrueshmëria dhe trashëgimia, mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik, si dhe siguria dhe integrimi euro-atlantik. Kombinimi i lidershipit të guximshëm e vizionar, lista gjithpërfshirëse dhe programi i zhvillimit ekonomik, janë themeli mbi të cilin do të ndërtohet oferta e Aleancës për këto zgjedhje parlamentare.”- ka shkruar Haradinaj në Facebook, më 05.12.2025.Sipas Haradinajt, Aleanca parasheh rritje ekonomike vjetore prej 7 për qind, rritje të GDP-së prej 12 në 14 miliardë euro brenda mandatit, rritje të buxhetit prej 3.3 miliardë eurosh, në 4 miliardë për vitin 2026, për të mbërritur në 6.1 miliardë në vitin e fundit të mandatit katërvjeçar.
“Kjo politikë buxhetore është garanci e stabilitetit financiar, e rritjes së pensioneve dhe pagave, të cilat që në vitin 2026 do të shënojnë rritje prej 31 për qind, shprehur në vlera nominale: pagë mesatare prej 1,100 eurosh dhe pension prej 500 eurosh, varësisht nga kategoritë. Pagat dhe pensionet, në kohë reale, do ta ndjekin trajektoren e ngritjes vjetore sipas indeksit të zhvillimit ekonomik dhe inflacionit.” – ka thënë ai.Kurse, në kategorinë e investimeve kapitale, të cilën Haradinaj e ka konsideruar si shtyllë e shtimit ekonomik, ka thënë se do të rritet mesatarisht prej 61 për qind në vitin e parë, për të mbërritur në 240 për qind në vitin 2029.
“Aleanca në zgjedhje niset “Krah Teje”, për rikthim të normalitetit në vend, zhvillim e mirëqenie, për anëtarësim në NATO dhe BE, për rikthim të partneritetit strategjik me aleatë të prirë nga SHBA, për sigurinë dhe ruajtjen e Shtetit si një të të pandarë. “Krah Teje” për Kosovën tonë të përbashkët. Na priftë e mbara!” – ka theksuar Haradinaj.
