Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shkarkuar Besim Kelmendin nga pozita e ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Për shkarkimin e Besim Kelmendit votuan pesë anëtarë, transmeton Telegrafi.
Në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, u vendos që Agron Qalaj të emërohet u.d i kryeprokurorit të Shtetit.
Zëvendëskryesuesja e Këshillit Prokurorial të Kosovës ka propozuar shkarkimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Zv.kreysuesja Jehona Grantolli ka deklaruar se këtë po e propozon pas zhvillimeve të fundit, ku Kelmendi u intervistua në cilësinë e dëshmitarit nga Prokuroria Speciale lidhur me masakrën e Reçakut.
“Duke pasë parasysh zhvillimet e fundit lidhur me detyrën e U.D. Besim Kelmendit, i cili është pozicionuar së fundmi me një grup të anëtarëve të KP dhe i cili më nuk përfaqëson unitetin e sistemit prokurorial, për të cilin është zotuar në marrjen e detyrës. Duke pasur parasysh edhe kërkesat e ndryshme që janë publike, që Këshilli Prokurorial të kërkojë shkarkimin e U.D.-së, kërkoj që kjo pikë të futet në mbledhje, me propozimin për shkarkimin e tij”, ka thënë Grantolli në mbledhjen e KPK-së.
Ndërkaq, Kelmendi i ka reaguar duke thënë se fjalimin duket se ia ka shkruar dikush tjetër e jo vetë Grantolli.
“Sot nga zëvendëskryesuesja e Këshillit Prokurorial doli një propozim, të cilin ajo e lexoi, por nuk dihet se kush ia ka shkruar. Ndoshta ai është zëdhënësi i tyre në media. Një dhe i vetëm. Kam dëgjuar shumë mirë çka ke thënë. Nëse është dikush pjesë e grupeve, tregoni cili grup është”, deklaroi Kelmendi.
Kelmendi tha se kjo është e planifikuar në mënyrë që në këtë pozitë të vijë njeriu i besueshëm i atyre që po dëshirojnë ta shkarkojnë.
Ndryshe, ditën e mërkurë, Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka thënë se janë të pavërteta dhe shpifje shkrimet që janë publikuar në media ditëve të fundit.
“Më vjen shumë keq që një portal i njohur “Paparaci” po vazhdon të raportoj të pavërteta. Lajmet e publikuara janë të pavërteta dhe tendencioze. Të dhënat janë plotësisht gënjeshtra. Unë kam pasur kësi shkrime dhe më herët nga i njëjti portal nga pronari i saj Vehbi Kajtazi”, tha Kelmendi.
Kelmendi ka deklaruar se jo rastësisht ky portal sot shkruajti një artikull kundër tij.
“Për të thënë gjëra që kurrë në jetën time nuk i kam bërë as që kisha guxuar ti bëjë. Çfarëdo pretendimi i Vehbi Kajtazit në shkrimin e tij tregon që gjërat janë krejtësisht ndryshe. Më vjen mirë që sot mu ka dhënë mundësia që në Prokurorinë Speciale të jap një deklaratë e cila konfirmon gjithë atë që po e them sot para juve”, tha Kelmendi, duke theksuar se ka dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit./Telegrafi
