Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ndaj ministrit në detyrë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Sipas njoftimit të SBASHK-ut, kallëzimi penal është bërë “për shkak të dyshimit të bazuar të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, duke pretenduar se ministri Murati “ka mosvepruar sipas Ligjit për Këshillin Ekonomik Social”.
SBASHK thotë se ministri nuk ka shpallur ftesën për formimin e Këshillit Ekonomik Social “që nga fundi i vitit 2022”, ndonëse sipas tyre për këtë “është i obliguar ligjërisht”.
Sipas sindikatës, kjo mospërmbushje e obligimit ligjor ka shkaktuar pasoja të mëdha për sindikatat dhe punëtorët në gjithë vendin.
“Me këtë mosveprim, Murati ka shkaktuar dëme të palës së tretë, pra sindikatave dhe anëtarëve të sindikatave në tërë Kosovën, duke pamundësuar diskutimin për ligjet dhe rregulloret që prekin gjithë të punësuarit në Kosovë”, thuhet në njoftim.
SBASHK thekson se mungesa e Këshillit Ekonomik Social ka lënë vendin edhe pa Marrëveshje Kolektive.
Duke cituar njoftimin e tyre “Kosova mbetet si i vetmi shtet në rajon që nuk ka këtë Marrëveshje të nënshkruar”, e cila, sipas sindikatës, është e garantuar me Ligjin e Punës.
