Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka hequr një pjesë të ndalimit të importit të shpezëve dhe nënprodukteve të tyre nga Gjermania. Sipas Ligjit të Veterinarisë, importi lejohet, përveç zonave administrative ku është konfirmuar prania e gripit të shpezëve: Lower Saxony, Bavaria, Brandenburg, Baden-Württemberg, North Rhine-Westphalia, Thuringia, Mecklenburg-Western Pomerania dhe Schleswig-Holstein.
Ky ndryshim vjen si plotësim-ndryshim i vendimit të AUV-së për ndalesën e importit, duke shfuqizuar ndalesën e vendosur më 30 tetor 2025. Vendimi bazohet në raportin më të fundit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH), raportin e Komisionit Evropian të datës 28.10.2025 dhe raportin e Autoritetit Kompetent të Gjermanisë të datës 12.11.2025, raporton KosovaPress.
Ndalimi i pjesshëm hyn në fuqi menjëherë dhe do të qëndrojë aktiv deri në vlerësimin e radhës nga autoritetet kombëtare dhe ndërkombëtare.
AUV do të vazhdojë të monitorojë situatën epidemiologjike dhe të bashkëpunojë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin e përhapjes së sëmundjes. Publiku dhe operatorët ekonomikë do të njoftohen në kohë për çdo ndryshim të mundshëm.
