Ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa, ka thyer heshtjen për dështimin e partisë së tij, Lidhjes Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet e 14 shkurtit. Në një letër të gjatë në Facebook ai ka thënë se ky rezultat është “faturë e talljes me votuesin”.
LDK-ja në zgjedhjet e para dhjetë ditësh doli e treta në listën e partive me vetëm 13 për qind të votave, si rezultatin më të dobët në histori të kësaj partie. Lëvizja Vetëvendosje doli e para me mbi 47 për qind, ndërsa PDK-ja e dyta me 17, kur ende s’janë numëruar votat me kusht dhe ato me postë. Ai ka kritikuar bashkëpartiakët e tij që në vend të hapjes së debatit të brendshëm kanë zgjedhur heshtjen. Sipas tij, heshtja po mbahet për shkak të kalkulimeve.
“Heshtje sepse po kalkulohen matematika që blejnë paqe dhe qetësi, që bëjnë se kinse ka paqe dhe qetësi, bashkëpunim dhe koordinim. Takime në grupe të ngushta, kinse për ta ruajtur partinë, por që në fakt diskutojnë interesa të ngushta. Jo interesin e LDK-së, jo interesin e qytetarëve, jo interesin e Kosovës. Në vend të analizës dhe diskutimeve të problemeve dhe dështimeve me struktura, anëtarë dhe votues, mbizotëron heshtja për të ruajtur pozicione (çfarë pozicione mund të kemi me 13%, rrokullisur nga 46%, që t’i ruajmë, s’e kam idenë!). Heshtje se ‘mos po kthehet Vjosa, e mos t’i prishi punët me të’ apo ‘mos po bëhet Luta e nuk më futë në kryesi’ apo “e merr partinë Kujta e nuk më jep pozitë’, apo… çfarëdo arsye tjetër për të mos folur, analizuar e debatuar; çfarëdo arsye për të heshtur e kalkuluar”, ka thënë ai në fillim të shkrimit të tij.
Duke folur për humbjen e rëndë, Mustafa ka thënë se në politikë “s’mbetet asnjë faturë pa paguar” herët a po vonë. Ka thënë se në LDK ka pasur thumbime në dy-tri palë zgjedhjet e fundit brenda partisë se “a po mund t’i kthejmë votuesit”.
“Kur tallesh me votuesin, një ditë vie fatura politike për ta paguar. Në politikë, nuk mbetet asnjë faturë pa paguar. Mund ta shtysh për mandatin tjetër, por dikur duhet ta paguash. Mund t’ua përcjellësh faturën gjeneratës tjetër në parti, por një ditë duhet ta paguajnë”, ka vazhduar ai.
Mustafa ka shkruar edhe “luftën e brendshme në LDK”. Sipas tij, me goditjen që i dha votuesi më 14 shkurt, ai “mori hakun” për të gjitha këto. Në këto zgjedhje, sipas Mustafës, janë paguar faturat e mbledhura nga janari i vitit 2006.
“Më 14 shkurt 2021 paguam të gjitha faturat e mbledhura nga janari i 2006-ës. Faturat e injorimit të anëtarëve, votuesve dhe simpatizantëve të LDK-së. Faturat e injorimit dhe shkeljes së familjeve të mëdha të LDK-së. Faturat e përqeshjes se ‘nuk kanë ku shkojnë, gjithë kanë me votu’ LDK-në’. Faturat e mbylljes, mosdialogimit, mosdiskutimit, skenarëve, grupimeve, makinacioneve, kalkulimeve, matematikave. Faturat e inateve dhe egove të personave, grupeve, klaneve, regjioneve, gjeneratave. Faturat e zgjedhjeve të brendshme të vitit 2019 kur askush nuk çante kokën kush, e si, po bëhej kryetar nëndege apo dege, por vetëm telefononin çdo 15 minuta ‘kon’ pe qon delegat? Ai a? Jo ai s’o i jemi, qoje atë tjetrin’. Zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 për të gjitha partitë tjera ishin zgjedhje parlamentare, por për LDK-në ishin vetëm vazhdim i zgjedhjeve të brendshme të nisura në pranverën e 2019-ës. ‘Votom mua edhe kurrqysh mos e voto Filanin, se m’ka mujtë në degë, e tash duhet me pre’ ishte fjalia më e shpeshtë në takimet elektorale, pra me votuesit, të LDK-së në këto zgjedhje. E votuesi i LDK-së rrëmoi sirtarët, mblodhi të gjitha faturat e 15 viteve të fundit dhe e morri pagesën, e morri hakun, jo nga LDK që nuk guxonte as t’i shihte faturat, por i përmbaroi në kutinë e votave. Nga 46% në 13% brenda 15 viteve”, ka shtuar Mustafa.
Për të ardhmen e partisë, Mustafa ka thënë se Kuvendi ku do të zgjidhet kryetari i ri pas dorëheqjes së Isa Mustafës, do të jetë i pakuptimtë nëse s’i plotësohen disa parakushte. Këtu ka renditur thirrjen apo lutjen për kthim në parti të figurave themeluese e bartësve të shpirtit të LDK-së, regjistrimin e plotë të anëtarësisë ku secili anëtar ka të matës për kontribut e performancë, zgjedhjet ku do të largohet kushti 50 për qind plus 1 e votave të Kuvendit për të miratuar kandidaturën dhe ku të gjitha organet zgjedhën vetëm përmes votës së fshehtë, si dhe komunikime e diskutime për konsensus të gjerë.
Sipas tij, në Kuvend nuk zgjidhet veç kryetari, por ekipi e vizioni i ri. Ka thënë se nëse në këtë dështon, LDK-ja do të përfundojë edhe më keq. Mustafa ka thënë se viti 2021 ishte përsëritje e 2006-s, teksa në fund ka thënë se ai do të vazhdojë të qëndrojë në LDK.