Subjekti politik Lëvizja Popullore e Mamushës është drejtuar me ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), që të shqyrtohet procedura e votimit dhe rezultatet në qendrën e votimit me numër 3201/02 në komunën e Mamushës , duke theksuar se kanë dyshime serioze lidhur me manipulime të mundshme të procesit zgjedhor, gjatë datës 9 nëntor 2025.
Sipas tyre, në disa fletëvotime të përdorura në të njëjtën kuti votimi në këtë qendër, vëzhguesit kanë vënë re se vula e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është në ngjyrë të zezë dhe në disa fletë votimi janë në ngjyrë blu.
Levizja Popullore e Mamushës thekson se prania e vulave me ngjyra të ndryshme në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën kuti votimi ngre dyshimin se mund të jenë furnizuar apo manipuluar fletëvotimet nga burime të ndryshme.
“Në zgjedhjet e zhvilluara më 9 nëntor në komunën e Mamushës, ne kërkojmë një shqyrtim të plotë dhe të thelluar të procesit të votimit dhe rezultateve të tij. Gjatë numërimit, disa parregullsi të konstatuara nga vëzhguesit tanë në detyrë kanë ngritur dyshime serioze për integritetin dhe vlefshmërinë e procesit zgjedhor. Është vërejtur se në disa fletëvotime të përdorura në të njëjtën kuti votimi, vula e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është në ngjyrë të zezë dhe në disa fletë votimi janë në ngjyrë blu. Prania e vulave me ngjyra të ndryshme në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën kuti votimi ngre dyshimin se mund të jenë furnizuar apo manipuluar fletëvotimet nga burime të ndryshme”, thuhet në reagimin publik të këtij subjekti politik.
Ankesa e plotë:
“I/e nderuar, kërkojmë që të shqyrtoni me përkushtim rreth të gjithë procedurës dhe rezultatit të votimit në qendrën e votimit me numër 3201/02 në komunën e Mamushës më datë 9 nëntor, duke pasur parasysh dyshimet tona serioze që lidhen me manipulime të mundshme të procesit zgjedhor.
Veçanërisht, vëmë në dukje këto çështje:
- Në disa fletëvotime të përdorura në këtë qendër u vëzhgua se vula e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte me ngjyrë të zezë, ndërkohë që në fletëvotimet e tjera të përdorura në të njëjtën ditë vula ka qenë e ngjyrës blu.
- Vëzhguesit tanë raportojnë se rreth qendrës së votimit kishin qarkulluar vazhdimisht persona të njëjtë, të cilët mund të kenë ndikuar në votues në mënyrë të padrejtë.
- Sipas të dhënave krahasuese me zgjedhjet e mëparshme, në këtë qendër u regjistrua një rritje e pazakontë e numrit të votave — kjo, së bashku me ndryshimin e ngjyrës së vulës, rrit dyshimet për një procedurë të manipulueshme, për shembull me metodën e njohur si “treni bullgar”.
Për këto arsye, kërkojmë që:
- të kryhet verifikim i plotë mbi votat e administruara në qendrën numër 3201/02;
- nëse konstatohet ekzistenca e provave për manipulim ose “trenin bullgar”, të deklarohen të pavlefshme të gjitha votat e vlefshme të kësaj qendre.
Faleminderit për vëmendjen dhe presim përgjigjen tuaj!”
