Një ndër shtetet me gjendjen më të rëndë ekonomike në botë dhe vend i shkatërruar nga lufta që nisi para dy dekadave e që nuk është ndaluar ende, Afganistani megjithatë e filloi fushatën e vaksinimit kundër Covid-19.
Në mesin e personave të parë që e morën vaksinën e kompanisë AstraZeneca në Afganistan ishin mjekët, personeli i sigurisë dhe gazetarët. Këto doza Afganistanit i janë dhuruar si donacion nga India.
“Sot, e përgëzoj popullin e Afganistanit për nisjen e fazës së parë të vaksinës kundër Covid-19 me 500.000 doza. Kjo është një mundësi e madhe për njerëzit e Afganistanit”, tha presidenti afgan, Ashraf Ghani.
“Nuk presim ndonjë mrekulli, por të ndihmojmë që kjo fushatë të zbatohet në mënyrë të drejtë”, deklaroi ministri afgan i Shëndetësisë, Waheed Majroh, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Besohet se Afganistani është goditur rëndë nga pandemia vitin e kaluar, por numri i kufizuar i testimeve dhe sektori i brishtë shëndetësor e kanë pamundësuar përcjelljen e gjendjes së vërtetë në terren.
Mijëra kilometra në perëndim të Afganistanit, në një shtet me më pak se dy milionë banorë, të çliruar para më shumë se 20 vjetëve, ende nuk dihet se kur do të fillojë vaksinimi kundër Covid-19, ndonëse ministri për Shëndetësi i këtij shteti, pra i Kosovës, dikur pati deklaruar se janë siguruar 1.2 milionë doza, ndërsa të hënën tha se po angazhohet për sigurimin e vaksinave.