Njëri nga tre nënkryetarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, nuk ka dashur ta komentoi kandidaturën e Anton Qunit, i cili deklaroi se do t’i futet garës për të parin e kësaj partie.
Rugova, i cili është kryetar i Komunës së Istogut, tha se është çështje personale e gjithsecilit që të kandidoi për kryetar të LDK-së.
“Unë vetëm dëgjova, nuk e kam pa kandidaturën e Qunit, pse jo, ka të drejtë. Nuk kam çka me deklarua për kandidatura, është çështje e tyre, është çështje personale tash janë procedurat, të shohim”, deklaroi shkurt për KALLXO.com, Haki Rugova.
Mbrëmë, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni tha se do t’i futet garës për ta udhëheq LDK-në në dy vitet e ardhme.
Quni është kryetar i degës së LDK-së në Prizren, vend ku u rëndit si forca e tretë politike, me vetëm 9.70 për qind, pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës, LDK arriti të fitoi vetëm 13 për qind të votave, ndërsa ajo nuk arriti të dal e para në asnjë komunë të vendit.
LDK mori pak vota edhe në komunën ku kryetar komune është Haki Rugova. Nga rezultatet e deritanishme, LDK mori vetëm 26.76 për qind të votave ndërsa LVV mori shumicën e votave, apo 43.81 për qind.