Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka bërë të ditur se Kosova është duke u përballur me një valë të madhe zjarresh që po përfshijnë të gjithë territorin e saj.
Kreu i agjencisë, Genc Metaj, në një konferencë për media, deklaroi se vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar mbi 633 raste të zjarreve, duke e cilësuar situatën si shqetësuese dhe serioze.
“Vendi është duke u përballë me zjarre të shumta të cilat janë duke u shfaqur në të gjithë territorin e vendit. AME, në koordinim të plotë me njësitë e zjarrfikjes në terren, Qendrat Operative Emergjente 112, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës, si dhe me autoritetet lokale, është e angazhuar maksimalisht dhe po bën përpjekje të vazhdueshme për ta menaxhuar situatën dhe për të parandaluar çdo pasojë nga situata e krijuar”, ka thënë Metaj.
Ai ka bërë të ditur se vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar mbi 633 raste të zjarreve fushore dhe malore.
“Gjatë kësaj jave situatë më e rënduar ka qenë në sshatrat Kçiq i vogël, Zasellë, Meshinë, Tugjevc, Dumnicë, Merdare, Orllan, ku është rrezikuar seriozisht jeta e njerëzve dhe e infrastrukturës private dhe shtëtërore, por falë ndërhyrjes së NJPZSH por edhe asistencës nga Policia Kosovës dhe qytetarët zjarret kanë arritur të lokalizohen. Kemi pasur edhe intervenime të KFOR-it në fshatin Kçiq të vogël të Mitrovicës dhe në fshatin Meshinë të Kamenicës për të reduktuar masën e zjarreve”, ka njoftuar tutje Metaj.
Metaj ka thënë se aktualisht në vend janë 9 zjarre aktive (Kuqicë, Gojbullë, Mirash, Tugjevc, Gmicë, Muqivërc, Negroc, Gadime, Vrellë) dhe se po punohet që edhe këto të shuhen plotësisht.
“Gjendja aktuale në vend është stabile por e brishtë për shkak të temperaturave, thatësirave si dhe nga zjarrvëniet e qëllimshme që po vazhdojnë të krijojnë vështirësi në operacionalitetin e njësive të zjarrfikjes dhe strukturave tjera të sigurisë. Duhet të ritheksohet vendimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me të cilin ndalohen të gjitha format e ndezjes së zjarreve në hapësira të hapura në të gjithë territorin e vendit”, u shpreh Metaj.
Kreu i AME-së ka theksuar se çdo neglizhencë, qëllim apo pakujdesi në ndezjen e zjarreve, do të trajtohet me seriozitet dhe do të pasohet me veprime ligjore.
“Edhe njëherë apelojmë tek të gjithë qytetarët për kujdes maksimal dhe për bashkëpunim të ngushtë me autoritetet, me qëllim të përballjes me sukses të situatës. Gjithashtu apelojmë tek qytetarët që të angazhohen dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme parandaluese duke përdorur edhe makineritë e tyre për të krijuar vija ndarëse në vendet ku rrezikohet jeta dhe prona e tyre”, ka apeluar ai.
Ai ka shtuar se bashkëpunimi ndërinstitucional është në nivelin e duhur, por sfidë mbetet vetëdijësimi i qytetarëve.
Ndërsa, drejtori i Divizioni të komunikacionit rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi, bëri të ditur se janë arrestuar 23 persona dhe trajtuar 193 raste që lidhen me zjarrvënie.
Ai kërkoi nga qytetarët të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, sidomos për shkak të temperaturave të larta.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim me AME-në po punon me kapacitet të plotë për të parandaluar zjarret dhe pasojat, qoftë tek njerëzit, qoftë në vendbanime. Policia në kuadër të bashkëpunimeve iu ka përgjigj të gjithave rasteve të raportuara”, tha Rexhepi.
“Janë arrestuar 23 persona dhe trajtuar 193 raste që kanë të bëjnë me shkaktimin e zjarreve. Apelojmë që të kenë kujdes që nga pakujdesia mos të shkaktohet zjarri. Nga temperaturat e larta mundësitë janë më të mëdha për zjarr. U apeloj qytetarëve të kenë kujdes që të kemi më pak zjarre dhe të kemi më shume siguri për banorët”, tha Rexhepi.