Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor që të nisin menjëherë procedurat gjyqësore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë qenë të përfshirë në lirimin me dorëzani për fajde ndaj Mefail dhe Edonis Shkodra, tashmë të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gjilan.
Në një komunikatë për media thuhet se vendimi për lirimin e tyre është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm.
“Ministria e Drejtësisë është thellësisht e shqetësuar dhe e tronditur nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Gjilan, ku humbën jetën tre qytetarë. Mefail dhe Edonis Shkodra, të dyshuar për këtë vrasje të trefishtë dhe aktualisht në arrati, kishin qenë më parë në paraburgim dhe ishin liruar me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, bazuar në kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Ky vendim është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm, sidomos duke pasur parasysh që të dy të dyshuarit ishin subjekt i hetimeve për vepra të rënda penale si fajdeja dhe detyrimi. Lirimi i tyre përbën një neglizhencë të rëndë institucionale dhe ka prodhuar pasoja tragjike e të pariparueshme. Ministria e Drejtësisë i bën thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij Gjyqësor, që të nisin menjëherë procedurat disiplinore ndaj të gjithë prokurorëve e gjyqtarëve që kanë qenë të përfshirë. Përgjegjësia ligjore, institucionale dhe morale duhet të jetë e plotë dhe e pakompromis”, thuhet në njoftim.