Në Kosovë u konfirmuan rastet e para të sëmundjes virale “Gjuha e Kaltër” në dy ferma: njëra në komunën e Prishtinës dhe tjetra në komunën e Lipjanit.
Drejtori i Shëndetit dhe i Mirëqenies së Kafshëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës të Kosovës, Sadik Heta për Ekonomia Online, tha se tashmë janë ndërmarrë masa për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.
“Kemi pasur konfirmimin e dy rasteve me sëmundjen “gjuha e kaltër” në dy ferma të ndryshme, njëra në Komunën e Prishtinës dhe tjetra në Lipjan. Bëhet fjalë për sëmundjen “gjuha e kaltër”, e cila është virale me karakter ekonomik, është duke qarkulluar edhe në vendet e rajonit, edhe të Evropës. Për shkak se ka qarkullim të kësaj sëmundjeje në vende të ndryshme të rajonit ne edhe më herët kemi marrë masa parandaluese për mospërhapjen e kësaj sëmundjeje, por fatkeqësisht kemi konfirmuar prezencën e kësaj sëmundjeje, e cila përhapet zakonisht nëpërmjet infektorëve, në rastin konkret mushkonjat që e transmetojnë përmes pickimit”, tha Heta.
Ai njoftoi se janë identifikuar pesë – gjashtë kafshë të infektuara dhe trajtohen me insekticid për të ndaluar mushkonjat që përhapin sëmundjen.
“Janë dy ferma të infektuara, njëra me sasi të krerëve rreth 200 dhe tjetra më pak. Nga këto kemi 5-6 kafshë të cilat janë diagnostikuar me këtë sëmundje. Kafshët janë momentalisht në gjendje stabile. Veterinerët janë duke marrë masa parandaluese të këtyre kafshëve, janë trajtuar me insekticid, bëjmë parandalimin e pickimit të mushkonjave në këto kafshë dhe tash për tash mund të them se situata është e qetë. Jemi duke e monituruar situatën në vend”, shtoi ai, transmeton Klankosova.tv.
Në përpjekjet për parandalimin e përhapjes së “Gjuhës së Kaltër”, Sadiku vë në dukje edhe ndalimin e importit të kafshëve dhe produkteve të derrit nga Serbia, shtet në të cilin po ashtu janë regjistruar rastë të kësaj sëmundjeje.