Në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, pacientët nga e gjithë Kosova kanë mundësi të kryejnë koronarografinë dhe vendosjen e stentave. Megjithatë, një pjesë e qytetarëve nuk janë të informuar për këtë mundësi dhe i drejtohen Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë për t’i kryer këto ndërhyrje.
Për shkak të mungesës së kardiologëve invazivë në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa”, në Prizren, çdo ditë një kardiolog së bashku me dikë nga ekipi mjekësor, udhëtojnë nga QKUK-ja në Prishtinë për të realizuar ndërhyrjet në këtë spital.
Ndër kardiologët e QKUK-së që ofrojnë shërbime në Prizren, është edhe Artan Ahmetaj, i cili tregon se çdo ditë i trajtojnë deri në gjashtë pacientë me procedura invazive.
Ahmetaj potencon se në fundjavë, shpeshherë organizohen kujdestari 24-orëshe, që u mundësojnë pacientëve të marrin trajtim të menjëhershëm pa pasur nevojë të shkojnë në Prishtinë.
“Meqenëse projekti ka qenë i LuxDev-it kanë qenë ekspertët nga Sllovenia të cilët e kanë udhëhequr në fillim projektin sesi do të realizohet. Kemi filluar me vetëm dy herë në javë, me kujdestari 24 orëshe. Ku janë thirrur 5 deri në 6 si raste elektive dhe të gjitha rastet c ka kanë qenë urgjenca brenda 24 orëve janë kryer. Që 6 muaj kanë filluar çdo ditë të vijnë. Dhe zakonisht vijnë 1 deri në 2 mjekë nga Qendra Klinike Universitare të cilët janë me përvojë në fushën e Kardiologjisë Invazive dhe kryejnë raste çdo ditë nga 5 deri në 6 raste dhe rastet akute gjatë kohës sa janë këtu. Gjithashtu, në fundjavë në shumicën e herave organizohen edhe kujdestari 24-orëshe për të cilat gjithë pacientët që kanë nevojë për urgjencë kardiologjisë invazive nuk kanë nevojë të shkojnë në QKUK”, thotë Ahmetaj.
Përveç koronarografisë, kardiologu Ahmetaj tregon cilat intervenime kryhen në Prizren.
“Këtu kryhen të gjitha intervenimet që kryhen edhe në sallën kateterizimit në Prishtinë…Këto janë koronarografi, stentim, ballonim, këto janë procedurat të cilat kryhen”, thotë kardiologu.
Ahmetaj thotë se pacientët nuk duhet të hezitojnë të shkojnë në Prizren për ndërhyrje, sepse procedura kryhet nga i njëjti personel i QKUK-së dhe me kushte më të mira sesa në Prishtinë.
Ai thekson se qëllimi është të ulet lista e pritjes, e cila menaxhohet nga QKUK-ja dhe përmes saj pacientët shpërndahen në të dy qendrat.
“Jo rrallë kemi hezitime nga pacientët pse të shkohet në Prizren. Qëllimi është se kryhet i njëjti intervenim, nga i njëjti personel dhe nuk ka nevojë pritje aq të madhe sikur bëhet në Prishtinë. Qëllimi është të zvogëlohet lista e pritjes…Lista e pritjes e cila është e menaxhuar nga QKUK-ja, e njëjta listë menaxhohet nga atje dhe distribuohen pacientët edhe në Prishtinë edhe në Prizren… Nuk ka nevojë aspak për hezitim. Përkundrazi, sa i përket ambientit të punës, këtu është më lehtë. Edhe për neve si mjekë edhe për pacientë edhe për infermierë e staf tjetër mbështetës. Këtu është një sallë moderne dhe kushtet janë shumë më të mira sesa në Prishtinë”, tregon Ahmetaj.
Ahmetaj potencon arsyen pse më shumë se një vit salla e kateterizimit në Prizren suportohet nga QKUK-ja.
“Arsyeja pse qe një vit kjo sallë e kateterizimit suportohet nga salla e kateterizimit në QKUK është sepse ende në Prizren nuk ka një staf të trajnuar që më në mënyrë vetanake zgjidhjen e të gjitha rasteve të cilat kryhen këtu”, thotë Ahmetaj.
Ahmetaj thotë se që nga qershori i vitit 2024, kur filloi puna në Kardiologjinë Invazive në Prizren, në fillim dy mjekë, një infermier dhe një teknik salle, kanë ardhur dy herë në javë, ndërsa që nga janari shërbimet ofrohen çdo ditë.
Por, ka qytetarë që nuk janë të informuar për këto shërbime.
Shadije Krasniqi tregon se nuk është në dijeni se në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit mund të bëhet vendosja e stentave të zemrës.
“A e keni ditur që stentat e zemrës vendosen tani edhe në Spitalin e Prizrenit? Jo. Nuk e keni ditur? Jo. A keni menduar se vendosen veç në Prishtinë? Jo, edhe në Prizren duhet të vendosen”, shprehet Krasniqi.
Hamdi Elshani nga Suhareka tregon se stentat i ka vendosur në QKUK, por nuk ishte i informuar se një shërbim i tillë ofrohet edhe në Spitalin e Prizrenit.
“A e keni ditur që stentet e zemrës vendosen tani edhe në Spitalin e Prizrenit? Jo, nuk e kemi ditur. A keni menduar se bëhen vetëm në Prishtinë. Edhe i kam bërë në Prishtinë…Tani mund t’i vendosni edhe në Prizren. Faleminderit për informacionin”, thotë Elshani.
Ndërkaq Shefqet Maliqi nga Malisheva tregon se pak muaj më parë ka marrë vesh se vendosja e stentave mund të bëhet edhe në Spitalin e Prizrenit.
“A e dini që stentat e zemrës vendosen tani edhe në Spitalin e Prizrenit. Po kemi marrë vesh, po. Kur e keni marrë vesh? Para dy muajve një bashkëfshatar i joni e ka vendosur stentën gruas së tij…Mirë ka shkuar shumë”, tregon Krasniqi.
Këto shërbime ofrohen në kuadër të projektit LuxDec të financuar nga Qeveria e Luksemburgut dhe implementuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Zhvillim të Luksemburgut.
Kjo zgjidhje ka mundësuar ofrimin e shërbimeve të avancuara kardiologjike më afër qytetarëve të rajonit të Prizrenit dhe më gjerë./kp/