Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ministren e Mbrojtjes të Dukatit të Madh të Luksemburgut, Yuriko Backes.
Presidenca ka njoftuar se gjatë takimit, Osmani shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e Forcave të Armatosura të Luksemburgut në kuadër të misionit të KFOR-it, duke vlerësuar lart përkushtimin e këtij vendi në promovimin e paqes dhe sigurisë në të gjithë rajonin.
“Presidentja ritheksoi mirënjohjen për mbështetjen e Luksemburgut ndaj Zyrës së Presidentes në përmbushjen e objektivave të përbashkëta strategjike, si dhe për iniciativat e Presidentes në fusha të ndryshme me interes të përbashkët. Presidentja theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut, si komponent thelbësor për forcimin e sigurisë rajonale dhe zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta. Ajo gjithashtu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut përmes projekteve zhvillimore në Kosovë. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë strategjike të përkrahjes së mëtejshme nga Luksemburgu për procesin e anëtarësimit të Kosovës në institucionet euroatlantike dhe organizatat ndërkombëtare, duke theksuar vlerat e përbashkëta demokratike dhe rolin që luan Kosova si një faktor i qëndrueshëm i stabilitetit në rajon”, shkruan tutje në njoftimin e Presidencës.
Vizita e ministrës Backes, sipas një njoftimi në faqen zyrtare të qeverisë të Luksemburgut, përfshin takime dhe aktivitete të rëndësishme. Ajo është e shoqëruar nga homologu i saj belg, ministri i Mbrojtjes dhe Tregtisë së Jashtme, Theo Francken, dhe Shefi i Shtabit të Ushtrisë, Gjenerali Steve Thull.
Gjatë vizitës, ministrja Backes do të takohet me anëtarët e Detashmentit të Mbikëqyrjes Ajrore të Beneluksit, i cili udhëhiqet nga Luksemburgu dhe është pjesë e Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR).
Po ashtu, agjenda e ministres do të përfshijë takime dypalëshe me udhëheqës të lartë politikë të Kosovës, të cilat do të ndihmojnë në thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.