Patriot Krasniqi, me origjinë nga Prizreni dhe i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Itali, ka bërë të ditur se është ftuar nga dy parti në pushtet në Rajonin e Toskanës për të qenë pjesë e listave garuese në zgjedhjet rajonale që do të mbahen këtë vjeshtë, ndërmjet muajve tetor dhe nëntor.
Lajmin e ka ndarë vetë Krasniqi përmes një postimi në rrjete sociale Facebook, duke shprehur mirënjohjen për vlerësimin dhe besimin e ofruar nga partitë italiane. “Jam jashtëzakonisht i lumtur që gjatë kësaj jave kam marrë ftesën për të qenë pjesë e listës në garë për zgjedhjet rajonale në Toskanë,” ka shkruar ai.
Një ftesë e ngjashme ka mbërritur edhe për Sefer Buzhalën, sekretarin e përgjithshëm të degës së PDK-së në Itali, i cili është propozuar për listat në rajonin e Venetos.
Të dy përfaqësuesit e diasporës kosovare në Itali kanë bërë të ditur se do ta shqyrtojnë me seriozitet ofertën e partive, duke pasur në fokus kontributin që mund të japin për komunitetin shqiptar në këtë shtet.
“Do ta vlerësojmë se cila nga partitë mund të ofrojë më shumë mundësi për të ndihmuar komunitetin tonë. Ky është misioni jonë – të jemi sa më afër dhe në shërbim të shqiptarëve në Itali,” thuhet në fund të njoftimit.