Më shumë se dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.
“Kosova urgjentisht ka nevojë për një Kuvend dhe Qeveri funksionale. Populli ka të drejtë të presë që udhëheqësit e tyre politikë të punojnë së bashku në interesin kombëtar”, ka shkruar ambasadori Hargreaves në një postim në rrjetet sociale.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur procesi i krijimit të institucioneve paszgjedhore ka hyrë në një ngërç, ndërsa qytetarët presin me shqetësim zhvillimet e mëtejme politike në vend.
Ndryshe, seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës e cila ishte paraparë të zhvillohet sot ka dështuar sërish të mbahet.
Seanca e 17 prillit ishte vazhdim i seancës të së martës (15 prill), ku dështoi të votohet raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve./Telegrafi/