Prokuroria Themelore në Prizren të enjten ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për kryerjen e tri veprave penale.
Sipas njoftimit, hetimet kanë zgjatur disa muaj dhe janë zbatuar masat e veçanta hetimore.
“Në bashkëpunim me Hetimet Rajonale në Prizren, pas një hetimi disa mujor duke zbatuar masat e veçanta hetimore, kanë realizuar kontroll në rajonin e Prizrenit, me ç’rast kanë arrestuar të dyshuarin Y.M., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Fajdeja” nga neni 331, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” nga neni 267 dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.
Aty theksohet se “i pandehuri Y.M., që nga muaji dhjetor 2024, e në vazhdimësi, në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit S.Sh., në atë mënyrë që i dëmtuari për shkak të gjendjes së rëndë financiare, nga i pandehuri merr të holla me kamatë prej 10%”.
“Pasi që viktima nuk arrin t’ia kthejë të pandehurit me kohë të hollat për muajin vijues, përveç kamatës, i pandehuri kërkon edhe shumën shtesë për çdo vonesë, derisa kamatat vazhdojnë të rriten në vazhdimësi, dhe bëhen të papërballueshme për viktimën”.
Kontrolli, sipas njoftimit të Prokurorisë, është realizuar në rajonin e Prizrenit, ku pas grumbullimit të provave gjatë aplikimit të masave të veçanta hetimore në terren, i pandehuri është arrestuar në flagrancë, me të hollat e pranuara nga viktima.
“Gjatë këtij aksioni, është kontrolluar shtëpia dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit, me ç’rast Prokurori i Shtetit, ka sekuestruar:
– Pesë (5) kavanoza qelqi dhe tri (3) qese plastike me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë prej 1 Kg e 57 gram;
– Një (1) peshore elektronike;
– Dy (2) grindera;
– Dy (2) telefona mobil;
– Një (1) pistoletë P22Ëalther, kalibër 9mm me një (1) karikator të zbrazur;
– Një (1) pistoletë ROHM RG96, kalibër 9mm;
– Një (1) karikator me 9 fishekë;
– Një (1) armë automatike e llojit të panjohur;
– Tëdhjetë e një (81) fishekë të kalibrit të panjohur;
– Një (1) Automjet “Opel Astra””, thuhet në njoftim.
I pandehuri i arrestuar, sipas Prokurorisë Themelore të Prizrenit, gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor, për të njëjtin Departamenti i Krimeve të Rënda do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit. /Telegrafi/