Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se mbajtja e ushtrimit ushtarak “Defender Europe”, ku do të marrin pjese 18 vende, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është dëshmi e zgjerimi the thellimit të partneriteti të Kosovës në fushën e mbrojtjes me ShBA-në.
Kurti ka thënë se risia e këtij ushtrimi është se në Aeroportin e Gjakovës, do të vendoset Komanda e Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së ushtrisë amerikane.
“Përveçse do të jemi nikoqir, risia është se këtë herë, në Aeroportin e Gjakovës, do të vendoset Komanda e Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së ushtrisë amerikane, dhe nga aty, do të drejtohen të gjitha ushtrimet në rajonin e Ballkanit. Partneriteti dhe bashkëpunimi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mbrojtje dhe siguri po thellohet e zgjerohet, dhe ky moment është padyshim dëshmi e kësaj.Që nga ndarjet e larta buxhetore për çdo vit, pajisja e ushtarëve me armatim modern e gjithnjë më të shumtë e deri te ngritja e aftësive luftarake, përherë në bashkëpunim me shtetet anëtare të NATO-s, e kanë bërë Kosovën një vend të sigurtë si asnjëherë më parë dhe i tillë që kontribuon dhe eksporton stabilitet.Ne jemi të përkushtuar që të rrisim edhe më tej angazhimin e Kosovës në ruajtjen e paqes dhe mbrojtjen e sigurisë në rajon e më gjerë”, ka shkruar Kurti.