Gjykata Speciale ka vendosur që Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit t’u vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.
Vendimet për masat e vazhdimit të paraburgimit të Thaçit dhe Veselit janë marrë të ndara dhe janë vendosur nga kryetari i panelit gjyqësor, Charles Smith III, më 11 prill 2025.
“Në dritën e rrethanave të diskutuara më sipër, dhe faktit se rreziqet e pengimit të procedurave dhe të kryerjes së krimeve të mëtejshme vazhdojnë të ekzistojnë – asnjëra prej të cilave nuk mund të zbutet mjaftueshëm nga zbatimi i masave të arsyeshme alternative – Paneli konstaton se paraburgimi i z. Thaçi për dy muaj të tjerë është i nevojshëm dhe i arsyeshëm në rrethanat specifike të rastit”- thuhet në vendimin për Thaçin.
Njëjtë thuhet edhe në vendimin për ish kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin të cilit po ashtu i është vazhduar paraurgimi për dy muaj të tjerë.
Seanca e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të akuzuar për vepra penale që ndërlidhen me krime të luftës, nuk është mbajtur më 01.04.2025, pasi një dëshmitar nuk është paraqitur në Gjykatë.
Ky dëshmitar ishte i propozuar nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.
Ky konsiderohet dëshmitari i fundit, i cili parashihej të jepte dëshminë e tij lidhur me këtë rast.
Pas kësaj faze do të fillojë dëgjimi i dëshmitarëve të cilët janë të propozuar nga mbrojtja e të akuzuarve.