Komandanti i misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Enrico Barduani, mirëpriti në Kosovë të martën Këshillin e Atlantikut të Veriut (NAC), së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe Zëvendës-sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Radmila Shekerinska.
Sipas njoftimit të KFOR-it, gjeneralmajor Barduani ndau pikëpamjet e tij mbi situatën aktuale të sigurisë në rajon, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës dhe për të mbështetur dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Gjithashtu, Barduani u takua me ambasadorët e vendeve që kontribuojnë me trupa në KFOR, duke i falënderuar ata për mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj misionit dhe stabilitetit rajonal.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë. Ne bashkëpunojmë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.